Nevoja për glukozë dhe NaCl/ SHSKUK shpall njoftim për kontratë

- Advertisement -

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka shpallur dy njoftime për kontrata publike, që kanë për qëllim furnizimin me produkte esenciale medicinale për nevojat e institucioneve shëndetësore në vend.

Sipas njoftimeve të publikuara në organ të prokurimit, bëhet fjalë për dy procedura të hapura të prokurimit që synojnë sigurimin e furnizimeve me tretësira bazike spitalore, konkretisht me glukozë 5% dhe natrium klorid 0.9%.

Të dyja kontratat janë të strukturuara si marrëveshje kornizë me një operator ekonomik, me kohëzgjatje prej 24 muajsh dhe me realizim përmes porosive sipas nevojave të SHSKUK-së.

Kontrata për furnizim me glukozë 5% ka një vlerë të parashikuar prej 103,508.40 euro.

Ndërkaq, kontrata për furnizim me natrium klorid 0.9% arrin vlerën 283,156.80 euro.

Të dyja furnizimet do të shpërndahen në Barnatoren Qendrore dhe në spitalet e përgjithshme në kuadër të SHSKUK-së.

Rëndom si në të kaluarën, autoriteti kontraktues ka përcaktuar se kriter për dhënien e kontratave do të jetë çmimi më i ulët, ndërsa operatorët ekonomikë duhet të plotësojnë një sërë kërkesash ligjore, profesionale dhe teknike.

Këto përfshijnë dëshmi për regjistrim biznesi, certifikata fiskale dhe të TVSH-së, licencë valide për qarkullim të produkteve medicinale, si dhe autorizime për marketing dhe shpërndarje të produkteve në Kosovë.

Po ashtu, kërkohet që ofertuesit të paraqesin katalogë dhe specifikime teknike për produktet e ofruara.

Sa i përket kushteve të ekzekutimit, është paraparë që furnizimi i parë të realizohet brenda 30 ditëve nga pranimi i porosisë, ndërsa për porositë pasuese afati i dorëzimit do të jetë 10 ditë.

Për të dy kontratat kërkohet sigurim i ekzekutimit në vlerë prej 10% të kontratës, si dhe sigurim i tenderit.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave për kontratën e glukozës është caktuar më 23 prill 2026, ndërsa për kontratën e natrium kloridit më 12 maj 2026.

Të ngjashme

Të fundit