Lajme

Nevoja e unitetit politik në çështjen e Asociacionit

By GAZETA SCANNER 1

November 13, 2023

Njohësit e proceseve politike në vend, po e shohin të nevojshëm unifikimin e subjekteve politike në çështjen e asociacionit, sa i përket hapjes së rrugës për nisjen e themelimit të tij.

Sipas tyre dy partitë opozitare PDK e LDK duhet ta përkrahin ekzekutivin, ngase ishin nismëtare të procesit të dialogut me Serbinë.

Pas pranimit nga ana e qeverisë të draftit evropian për asociacionin, vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës doli në mbështetje.

Kurse, dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike nuk e bënë të njëjtin veprim.

Sipas njohësve të fushës, uniteti politik në drejtim të formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe është i domosdoshëm.

Megjithatë, njohësi i proceseve politike, Visar Xani shprehet optimist me deklaratat e deritanishme të opozitës.

Vet fakti se këto dy parti opozitare kanë filluar procesin e dialogut, sipas politologut Fidan Ukaj, ato duhet të jenë në mbështetje të draftit evropian.

Partitë opozitare duhet t’a përkrahin Qeverinë e Kosovës në procesin dialogues. Sidomos LDK-ja dhe PDK-ja, për arsye se bartin një përgjegjësi të madhe në këtë proces, kur e dimë se ishin pikërisht këto dy parti politike të cilat e filluan këtë proces dialogues me Serbinë nga viti 2011, duke pasur kështu marrëveshjen e parë në vitin 2013 e pastaj më 2015.

Me 21 tetor, emisarët euro-amerikanë qëndruan në Kosovë dhe Serbi, duke prezantuar një draft-statut evropian të asociacionit.

Teksa në një samit të BE-së, me 26 tetor, kur morën pjesë Kurti e Vuçiq, u bë e ditur se pala kosovare ka pranuar këtë draft, ndërsa pala serbe ka refuzuar ta nënshkruaj atë.