Pas një viti pritjeje nga njoftimi i parë, Netflix ka zbuluar detaje të reja për dokumentarin e shumëpërfolur mbi jetën dhe karrierën e Victoria Beckham. Filmi do të publikohet më 9 tetor, pothuajse dy vite pas suksesit të madh të dokumentarit të dedikuar bashkëshortit të saj, David Beckham.
Pas triumfit të serisë dokumentare për Davidin në vitin 2023, Netflix njoftoi se do të sillte edhe historinë e Victorias. Në një intervistë për Bloomberg, dizajnerja tregoi se ishte pikërisht bashkëshorti i saj ai që e nxiti të pranonte këtë projekt.
“Sinqerisht, nuk isha e sigurt nëse dikush dëshironte vërtet të shihte çfarë bëj çdo ditë. Filmi fokusohet tek puna ime dhe roli im si themeluese dhe drejtoreshë kreative e dy brendeve,” u shpreh ajo.
Victoria shtoi se kishte kohë që mendonte për këtë hap. “Më në fund e kuptova se tani është momenti i duhur. Katër vitet që kalova me Spice Girls më kanë përcaktuar si artiste dhe jam shumë krenare për këtë, por së bashku me to erdhën edhe paragjykime. Në industrinë e modës kam krijuar koleksione për gati 20 vite dhe më është dashur kaq kohë që të ndihem vërtet e sigurt për punën dhe markën time. Tani ndihem gati të flas hapur për të kaluarën time,” theksoi ajo.
Ajo paralajmëroi se dokumentari nuk do të ketë asnjë lloj idealizimi. “Do të tregoj rrugëtimin tim, sfidat, do të ketë edhe lot. Madje mendoja ditët e fundit: si do të ndihem kur t’i shoh ato lot në ekranin e madh… ose edhe në një iPhone? Për ta thënë sinqerisht, tani jam në duart e redaktorëve,” tha Victoria.
Ndërkohë, David tregoi edhe një herë mbështetjen e tij publike. Ai publikoi në Instagram lajmin për premierën e filmit duke shkruar: “Jam krenar për ty”, ndërsa shtoi se mezi pret ta shohë.
Edhe pse detajet mbahen ende të fshehta, dokumentari pritet të ndjekë udhëtimin e Victorias nga yll botëror i muzikës pop tek një emër i fuqishëm në industrinë e modës. Ajo ka sugjeruar se në film mund të shfaqen edhe David dhe fëmijët e tyre: “Mund të ndodhë që disa pamje të mos hyjnë në versionin final, por ata kanë filmuar pak edhe me Davidin dhe fëmijët, sepse ata janë pjesë e madhe e gjithçkaje,” tha ajo me humor.
Sa i përket thashethemeve për përplasje brenda familjes me djalin Brooklyn dhe bashkëshorten e tij, ato nuk pritet të përfshihen, pasi Netflix e kishte paralajmëruar projektin që në gusht të vitit të kaluar – përpara se të nisnin zërat për mospajtime familjare, raporton Hello Magazine.
Dokumentari i Victorias pritet me padurim nga fansat që nga tetori i vitit 2023, kur u publikua seria për Davidin. Ajo jo vetëm që tregoi për herë të parë nga afër jetën dhe dinamikën familjare të çiftit, por solli edhe përfitime të mëdha financiare, mbi 28 milionë paund për Davidin. Edhe kompania prodhuese Studio 99 Group, që qëndron pas projektit, pa një rritje të të ardhurave në mbi 15 milionë dollarë.