Në një deklaratë të publikuar në kanalin e tij Telegram duke diskutuar vizitën e tij në SHBA, Benjamin Netanyahu tha se IDF “do të mbetet në pjesën më të madhe të territorit” si pjesë e planit të hartuar me presidentin amerikan Donald Trumpin dhe se Izraeli “absolutisht nuk” pranoi një shtet palestinez.
“Ishte një vizitë historike. Në vend që Hamasi të çonte në izolimin tonë, ne i ndryshuam rregullat dhe izoluam Hamasin. Tani e gjithë bota, përfshirë botën arabe dhe myslimane, po i bën presion Hamasit që të pranojë kushtet që vendosëm së bashku me Presidentin Trump: të lirojë të gjithë të rrëmbyerit tanë – si të gjallë ashtu edhe të vdekur – ndërsa IDF mbetet në pjesën më të madhe të territorit”, tha ai, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
I pyetur nëse kishte rënë dakord për një shtet palestinez gjatë vizitës së tij, Netanyahu tha:
“Absolutisht jo dhe kjo nuk është shkruar as në marrëveshje. Por një gjë e thamë: ne jemi kundër një shteti palestinez. Presidenti Trump e tha gjithashtu këtë; ai tha se e kupton qëndrimin tonë. Ai gjithashtu deklaroi në OKB se një veprim i tillë do të ishte një shpërblim i madh për terrorin dhe një rrezik për shtetin e Izraelit. Dhe sigurisht, ne nuk do të pajtohemi me të”.
Ministri i Financave i ekstremit të djathtë të Izraelit, Bezalel Smotrich, një anëtar i qeverisë së koalicionit të Netanyahut, e kritikoi planin si një “dështim të madh diplomatik”.
“Sipas vlerësimit tim, do të përfundojë edhe me lot. Fëmijët tanë do të detyrohen të luftojnë përsëri në Gaza”, tha ai.