Presidenti amerikan, Donald Trump, pas pritjes qw i bwri kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë të hënën, tha se Shtetet e Bashkuara kishin planifikuar bisedime me Iranin dhe treguan përparim në një përpjekje të diskutueshme për të zhvendosur palestinezët nga Gaza.
Duke folur me gazetarët në fillim të një darke midis zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, Netanyahu tha se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po punonin me vende të tjera që do t’u jepnin palestinezëve një “të ardhme më të mirë”, duke sugjeruar që banorët e Gazës mund të zhvendoseshin në vendet fqinje.
“Nëse njerëzit duan të qëndrojnë, ata mund të qëndrojnë, por nëse duan të largohen, ata duhet të jenë në gjendje të largohen”, tha Netanyahu.
“Ne po punojmë shumë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të gjetur vende që do të kërkojnë të realizojnë atë që thonë gjithmonë, se donin t’u jepnin palestinezëve një të ardhme më të mirë. Mendoj se po i afrohemi gjetjes së disa vendeve”.
Trump, i cili fillimisht kundërshtoi Netanyahun kur u pyet për zhvendosjen e palestinezëve, tha se vendet përreth Izraelit po ndihmonin. “Kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer nga … vendet përreth, bashkëpunim të shkëlqyer nga secila prej tyre. Pra, diçka e mirë do të ndodhë”, tha Trump, transmeton Klankosova.tv.
Presidenti amerikan më herët këtë vit prezantoi zhvendosjen e palestinezëve dhe marrjen e Rripit të Gazës për ta shndërruar atë në “Rivierën e Lindjes së Mesme”.
Banorët e Gazës e kritikuan propozimin dhe u zotuan të mos largoheshin kurrë nga shtëpitë e tyre në enklavën bregdetare. Grupet e të drejtave të njeriut e dënuan planin si spastrim etnik.
Trump dhe Netanyahu u takuan për disa orë në Uashington, ndërsa zyrtarët izraelitë vazhduan negociatat indirekte me Hamasin që synonin sigurimin e një armëpushimi në Gaza dhe një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Netanyahu u kthye në shtëpinë e mysafirëve Blair House vonë të hënën, ku do të takohet me zëvendëspresidentin JD Vance sot, raporton Reuters.
Vizita e Netanyahut vjen pas parashikimit të Trump, në prag të takimit të tyre, se një marrëveshje e tillë mund të arrihet këtë javë. Para se të nisej për në Uashington, udhëheqësi izraelit i krahut të djathtë tha se diskutimet e tij me Trump mund të ndihmojnë në avancimin e negociatave që po zhvillohen në Katar midis Izraelit dhe grupit militant palestinez.