Në gjykatën rajonale të Tel Avivit, kryeminsitri izraelit Benjamin Netanyahu po merret në pyetje në kuadër të procesit të tij penal për akuza korrupsioni, pesë vite pas nisjes së gjykimit.
Sipas The Times of Israel, avokati Yehonatan Tadmor nga Zyra e Prokurorit të Shtetit ka nisur me pyetjet për Çështjen 1000, ku Netanyahu akuzohet për mashtrim dhe keqpërdorim të besimit, pasi dyshohet se ka pranuar dhurata luksoze me vlerë qindra mijëra shekel nga biznesmeni i Hollivudit Arnon Milchan dhe miliarderi australian James Packer, në këmbim të favorizimit të Milchan.
Ndërkohë, gjyqtarja Rivka Friedman-Feldman, e cila drejton panelin prej tre gjyqtarësh që po mbikëqyr çështjen, i ka kujtuar Kryeministrit detyrimin për të thënë të vërtetën gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të prokurorisë.
Ky proces gjyqësor është një nga më të rëndësishmit në historinë politike të Izraelit dhe pritet të ketë ndikim të madh në karrierën dhe të ardhmen politike të Netanyahu.