Kryeministri i Izrael, Benjamin Netanyahu, i ka drejtuar një tjetër mesazh popullit të Iran, duke i bërë thirrje të ngrihet kundër regjimit në Teheran.
Në një video-mesazh të publikuar në platformën X, Netanyahu u shpreh se është vetë populli iranian ai që duhet të marrë në dorë fatin e tij dhe të kundërshtojë autoritetet aktuale.
Videoja shoqërohet me muzikë dramatike dhe pamje turmash të bashkuara që mbajnë flamurin historik iranian me Luanin dhe Diellin, si edhe flamurin e Izraelit. Në mesazhin e tij, kryeministri izraelit thekson se vendi i tij synon të “çlirojë Iranin nga zgjedha e tiranisë”, ka transmetuar Panorama.
“Unë besoj se, nëse do të ngriheni në këmbë në momentin e së vërtetës, nuk do të vonojë dita kur Izraeli dhe Irani do të bëhen sërish miq të guximshëm”, deklaroi Netanyahu.
Zyrtarë të Izraelit, përfshirë edhe vetë Netanyahun, kanë deklaruar më parë publikisht se shpresojnë që konflikti i vazhdueshëm në rajon mund të çojë edhe në një ndryshim të regjimit në Iran.






