Të mërkurën, do të zhvillohen ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll.
Në Suharekë dhe Podujevë, Ballkani dhe Llapi shpresojnë të marrin rezultate pozitive përpara ndeshjeve të kthimit që i luajnë pas dy javësh në Klinë, përkatësisht Ferizaj.
Ballkani është plotësisht gati për Dukagjinin, ekip të cilin në xhiron e fundit të Superligës e mposhti me rezultatin e ngushtë 2:1 dhe atë në kohën shtesë, pikërisht në Suharekë.
Kështu që, edhe ndeshja e parë gjysmëfinale ndërmjet këtyre dy skuadrave pritet të jetë interesante, me Dukagjinin që shpreson që finalisti i Kupës së Kosovës të përcaktohet në duelin e kthimit.
Në gjysmëfinalen tjetër, Llapi vlerësohet favorit përballë Ferizajt, ekip që vikendin e shkuar në kuadër të xhiros së 27-të me rezultatin minimal 1:0.
Andaj edhe kjo ndeshje do të jetë sikurse një reprizë e duelit të Superligës, por me Llapin që synon kualifikimin në finale për ta shpëtuar sezonin me triumf në Kupë dhe dalje në garat evropiane.
Në anën tjetër, edhe Ferizaj është i motivuar për të shkuar në finale të Kupës së Kosovës, ndonëse sikurse Llapi po lufton për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit kosovar.
Të dy duelet e Kupës, nisin nga ora 15:00.
Ndeshjet e kthimit të fazës gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, do të luhen më datën 22 prill.






