14.2 C
New York
Wednesday, March 26, 2025

Buy now

Nesër rikthehen seancat e Speciales, në rastin Thaçi dhe të tjerët

- Advertisement -

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit nesër do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ndryshe deri në përfundim të intervistimit të dëshmitarëve të Prokurorisë janë edhe 10 seanca që janë paraparë sipas kalendarit të publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Më 4 prill do të përfundojnë dëshmitarët e Prokurorisë, në rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Kjo është bërë e ditur në konferencën e mbajtur më 19 shkurt në Gjykatën Speciale. Prokurorët thanë se kanë mbetur edhe 20 dëshmitarë, por që jo të gjithë do të dëshmojnë në Gjykatë.

“4 prill është data e fundit e parashikuar. Nuk do thërrasim asnjë dëshmitar pas kësaj date. Brenda 15 prillit do të dorëzojmë mocionet e fundit me shkrim, provat jo-gojore. Kjo është data që planifikojmë. Nuk do kemi dëshmitarë tjerë pas datës 4 prill”, tha prokurori Matt Halling.

Në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, më 18 mars, Trupi Gjykues miratoi një kërkesë të Prokurorisë për pranimin e dëshmisë së një dëshmitari në formë të shkruar, ndërsa dëshmitari do të jetë në dispozicion për t’u marrë në pyetje nga pala jothirrëse.

Trupi Gjykues konstatoi se vlera provuese e dëshmisë nuk zhbëhet prej efektit dëmtues të saj dhe se mospërputhjet apo kundërshtitë në të mund të diskutohen gjatë pyetjeve të palës jothirrëse. Trupi Gjykues konstatoi gjithashtu se lejimi i dëshmisë në formë të shkruar i kontribuon kryerjes së shpejtë të procesit, sepse shkurton kohën e nevojshme për pyetjet e Prokurorisë nga gjashtë orë në një orë.

Po ashtu më 18 mars, Trupi Gjykues pranoi si prova dëshmitë dhe provat materiale shoqëruese të katër dëshmitarëve vetëm në formë të shkruar, duke konstatuar se provat kishin vlerë provuese dhe nuk shkaktonin dëm të papërligjur, dhe se kriteret për gjykim të drejtë dhe të shpejtë përligjin pranimin e këtyre provave pa marrje në pyetje nga pala jothirrëse.

Më 13 mars, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht një kërkesë të Prokurorisë për pranimin e gjashtë deklaratave të dëshmitarëve vetëm në formë të shkruar, meqenëse dëshmitarët kanë ndërruar jetë. Në lidhje me pesë prej deklaratave, Trupi Gjykues miratoi kërkesën, duke konstatuar se provat nuk janë për vërtetimin e veprimeve dhe sjelljes së të akuzuarve dhe se vlera provuese e tyre nuk zhbëhet prej efektit dëmtues ndaj të akuzuarve.

Trupi Gjykues konstatoi gjithashtu se provat përputhen dhe konfirmohen nga deklarata të dëshmitarëve të tjerë të cilët Mbrojtja pati mundësinë t’i merrte në pyetje.

Në lidhje me deklaratën e gjashtë, Trupi Gjykues miratoi kërkesën pjesërisht dhe urdhëroi Prokurorinë të përjashtojë pjesët e dëshmisë në lidhje me një incident që nuk përfshihet në Aktakuzë. Sa i përket pretendimit se disa aspekte të kësaj prove janë spekulative apo të pambështetura, Trupi Gjykues theksoi se kjo do të merret parasysh kur të shqyrtojë peshën dhe vlerën provuese që do t’i japë asaj prove.

Më 17 mars, Mbrojtësi i Viktimave njoftoi Trupin Gjykues se një viktimë vendosi të tërhiqej nga pjesëmarrja në proces për shkak të shqetësimeve për sigurinë. Aktualisht, 154 viktima marrin pjesë në proces në këtë çështje gjyqësore nëpërmjet Mbrojtësit të Viktimave.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit