Siç merr vesh gazeta Nacionale, zonja Pacolli-Rexhepi është në short bashkë me gjyqtarin tjetër Arnis Dumani, për të marrë në dorë çështjen e Klan Kosovës, pasi ky televizion e dërgoi në gjykatë pasi ARBK-ja ia pezulloi përfundimisht certifikatën e biznesit.
Pra gjasat reale janë që çështja e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës të mbetet në duart e motrës së Fitore Pacollit, e cila e ka përkrahur vendimin e ARBK-së. Madje, hiç më larg se sot, deputetja Pacolli shkroi se mediet nuk “duhet të regjistrohen si biznese të Kosovës dhe jo të Serbisë”. Tutje, ajo e citoi edhe një raport të Komisionit Evropian, për të kritikuar mediet kosovare.
“Askush nuk është kundër lirisë së mediave por ato duhet të regjistrohen si biznese të Kosovës dhe jo të Serbisë.
Transparencë rreth pronësisë dhe se nga ku financohen disa media mbetet shqetësuese edhe për Bashkimin Evropian.
Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Kosovën ka ngritur shqetësim për mungesën e informacionit mbi strukturat e pronësisë së medias. Në raport theksohet se “mbeten të paqarta dhe shpesh fiktive, pasi shumica e mediave nuk japin informacion mbi financat e tyre apo pronësia reale”.” – shkroi ajo.
Ndryshe, zonja Vlora Pacolli-Rexhepi, motra e deputetes Pacolli, që nga viti 2019 është pjesë e sistemit të drejtësisë.
“Gjyqtarja Pacolli – Rexhepi ka të kryera disa trajnime profesionale. Më 21.01.2019 është emëruar gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin e Përgjithshëm-Divizioni për Çështje Penale, ndërsa më 23.06.2022 është emëruar gjyqtar në Gjykatën Komerciale.” – shkruhet në uebfaqen e Gjykatës Komerciale të Prishtinës.
Të premten Klan Kosova njoftoi se vendimin e ARBK-së për të pezulluar certifikatën e biznesit do ta kundërshtojë në gjykatë.
“Klan Kosova në asnjë rrethanë nuk do ta pranojë një qasje të tillë autoritare nga institucionet e shtetit dhe çështjen do ta dërgojë në gjykatë.
Klan Kosova dëshiron t’i sigurojë të gjithë qytetarët se puna nuk do të ndalet dhe as që do të mund të ndalet.
Ne do ta vazhdojmë zejen e shenjtë të informimit të qytetarëve në mënyrë të drejtë dhe profesionale si deri më sot, edhe nesër dhe përgjithmonë, plotësisht të vetëdijshëm se nëse ne dorëzohemi, atëherë trysnia do të vazhdojë mbi mediat e tjera me synimin e instalimit të frikës në Kosovë.” – shkroi Klan Kosova në një reagim pas vendimit të ARBK-së.
Ndryshe, sot gazetarët kosovarë protesua në Prishtinë kundër vendimit të Qeverisë Kurti për Klan Kosovën me moton “Demokracia vdes në errësirë” dhe nën organizimin e Agjencionit të Gazetarëve të Kosovës. Kjo protestë ngjalli shumë reagime në kampin e LVV-së. Në fakt, pushteti ishte jashtëzakonisht kritik ndaj protestës së gazetarëve.