5.9 C
New York
Friday, November 29, 2024

Buy now

Nesër bëhet 32 vjet nga vdekja e heroit Fadil Vata

- Advertisement -

Nesër (e hënë) bëhen 32 vjet kur i pushojë së rrahuri zemra e madhe e heroit të kombit, Fadil Vata.

Në nderim të jetës dhe veprës se Fadil Vatës, nesër do të bëhen homazhe te varri i tij.

“Me rastin e 32-vjetorit, të ndarjes nga ne, të heroit Fadil Vata, më datë 25.04.2022, në ora 11:00, në Sallagrazhdë, do të bëhen homazhe pranë vendit ku qëndron trupi i tij, më pas, do të vazhdojmë duke i bërë vizitë shtëpisë muze, për heroin. Ju presim!”, ka njoftuar familjari i heroit Vata, Labinot Vata.

Fadil Vata ka lindur më 10 janar 1962 në fshatin Sallagrazhdë të Therandës dhe rrjedh nga një familje atdhetare, e cila e bëri të nderuar dhe të respektuar. Shkollën fillore, Vata e kishte kryer në vendlindje, kurse të mesmen (gjimnazin) në Therandë. Ai ishte nxënës i dalluar. Qysh nga bankat e shkollës së mesme është angazhuar në çështjen kombëtare.

Edhe pse në moshë të re, Fadil Vata në vitin 1978 ishte angazhuar në grupet ilegale që vepronin atëherë në Komunën e Therandës. Në nëntor të vitit 1979 aktiviteti i tij politik u kishte rënë në sy organeve policore dhe për këtë arsye disa herë është marrë në pyetje dhe keqtrajtuar, por asnjëherë nuk ishte frikësuar. Në vitin 1980 Fadil Vatën me dhunë e kishin dërguar në shërbimin ushtarak jugosllav. Edhe atje nuk ishte ndalur në aktivitetin e tij atdhetar.

Gjatë shërbimit ushtarak, Vata u kishte rënë në sy eprorëve ushtarakë serbosllavë dhe më 2 maj 1981, pas ngjarjeve të marsit, të cilat i kishte përkrahur, arrestohet së bashku me Murat Bytyçin nga ana e organeve ushtarake dhe mbahet në paraburgim rreth 14 muaj dhe mbi 17 muaj i izoluar.

Më 1 mars të vitit 1982 nga Gjykata ushtarake e Beogradit, Fadil Vata ishte  dënuar me 6 vjet burgim vetëm për aktivitetin dhe bindjet e tij politike. Për shkak të torturave të ushtruara ndaj tij, ai në burg fiton një sëmundje të rendë në mushkëri, e cila më vonë ishte fatale për jetën e tij të re. Edhe pse ishte i ri nga mosha, kishte një ngritje të lartë intelektuale, kishte diapazon të gjerë njohurish, sepse lexonte shumë (edhe sot familja e tij ruan me nostalgji bibliotekën e pasur të tij).

Mbi të gjitha ai ishte i afërt me shokë, të cilët kurrë nuk i nënçmonte. Meqenëse përherë sëmundja ia kanoste shëndetin, ai dërgohet në spitalin e burgut të Pozharevcit dhe mandej edhe në CZ të Beogradit për t’u operuar. Aty edhe pse i operuar, mbahet për një kohë të gjatë lidhur për shtrati, sepse edhe ashtu ia kishin frikën. Pas dhjetë muajsh, ai dukshëm ishte përmirësuar, por UDB-ja serbe, duke pasur informata për aktivitetin e tij, bën eksperimente mbi trupin e Fadilit. Kështu UDB-ja, gjatë kohës sa qëndroi në spital, kishte akorduar një bombë mbi trupin e Fadilit dhe përherë mjekët e spitalit, të dirigjuar nga ata, kanë vepruar me rreze rëntgeni dhe me laser, kinse në emër të shërimit. Rrezatimi dhe laseri ia kishin shkaktuar kancerin e pashërueshëm në boshtin kurrizor, i cili i  kishte kushtuar shumë për jetën e tij. Fadili pas vuajtjes së dënimit nuk e kishte ndalur veprimtarinë e tij patriotike në shërbim të atdheut.

Kështu, ai ishte regjistruar në Fakultetin Filozofik – në Degën e Filozofi – Sociologji, por edhe më shumë ishte aktivizuar në luftën e tij për çështje kombëtare, duke ndihmuar më të madhe lëvizjet popullore gjatë vitit 1988, kur populli shqiptar ngriti zërin, fuqishëm kundër politikës shoviniste serbe. Së bashku me Afrim Zhitinë dhe veprimtarë të tjerë, Fadil Vata ishte bërë krahë i fort i grevës së minatorëve të vitit 1989 dhe ngjarjeve tjera. Ai dhe veprimtarët e tjerë të lëvizjeve popullore i patën dhënë karakter gjithëkombëtar dhe gjithëpopullor këtyre lëvizjeve, të cilat i përkrahën edhe shumica e popullit shqiptar të Kosovës. Fadili edhe pse lëngonte nga sëmundja e fituar në burg, dallohej për syçelëti.

Për shkak të sëmundjes, Fadil Vata  ishte detyruar të kërkojë shërim jashtë Kosovës, duke shkuar në Bazel të Zvicrës. Vrasja e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut ishte goditje e rëndë për Fadilin, sepse ata ishin shokët dhe veprimtarët e idealit të tij, të cilët i kishte  vrarë dora e pushtetit serb më 2 nëntor 1989. Ky lajm për Fadilin ishte tepër i rendë, por edhe sëmundja e pashërueshme e kishin keqësuar gjendjen e tij shëndetësore. Më 25 prill të vitit 1990, Fadil Vata kishte  mbyllur sytë përgjithmonë duke na lënë amanetin që rrugën e lirisë mos ta lëshojmë, se ajo ditë do të vinte për bashkëkombësit e tij.

Fadil Vata mban titullin “Hero i Kosovës”. Ai është vëllai i profesorit dhe intelektualit Ramë Vataj.

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=10224179588410305&id=1019406835

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit