Nënshkruhet memorandumi për mbështetjen e të burgosurve pas lirimit

- Advertisement -

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Ismail Dibrani, së bashku me ushtruesin e detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Punësim, Blerim Hasani, kanë nënshkruar aneksin e memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Sipas njoftimit të ShKK-së, ky aneks vjen si vazhdim i Memorandumit të Mirëkuptimit të lidhur në vitin 2010 ndërmjet institucioneve përkatëse, dhe synon forcimin e bashkëpunimit në funksion të rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të burgosur, transmeton Klankosova.tv.

Aneksi i memorandumit parasheh angazhimin e këshilltarëve të punësimit në kuadër të programit për përgatitje për lirim dhe mbështetje pas lirimit, program ky i miratuar nga drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Përmes këtij bashkëpunimi, synohet që të burgosurve t’u ofrohet mbështetje konkrete drejt integrimit në tregun e punës.

“Këshilltarët e punësimit nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, përmes Agjencisë për Punësim, do të jenë pjesë aktive e këtij programi, duke ofruar informacione të drejtpërdrejta mbi mundësitë e punësimit, trajnimet profesionale dhe shërbimet që ofrohen pas lirimit”.

“Gjatë seancave të programit, të burgosurit do të kenë mundësinë të informohen mbi vendet e lira të punës, procedurat e aplikimit dhe mbështetjen institucionale që mund të përfitojnë pas daljes nga burgu. Ky angazhim pritet të lehtësojë tranzicionin e tyre në shoqëri dhe të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e rrezikut të rikthimit në vepra penale”, ka njoftuar ShKK-ja.

Të ngjashme

Të fundit