11.8 C
New York
Tuesday, November 4, 2025

Buy now

Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit Ndërkombëtar ndërmjet Sindikatës së Policisë së Kosovës dhe Sindikatës së Policisë së Sllovenisë

Si rezultat i përkushtimit të përbashkët për avancimin e të drejtave, dinjitetit dhe profesionalizmit të punonjësve të policisë, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit Ndërkombëtar ndërmjet Sindikatës së Policisë së Kosovës (SPK) dhe Sindikatës së Policisë së Sllovenisë – OPS Podravje. Kjo marrëveshje shënon një moment të rëndësishëm historik për fortësimin e lidhjeve sindikale dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale në nivel ndërkombëtar.
Marrëveshjen e nënshkruan Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, z. Avdi Hoti, dhe Presidentja e Sindikatës së Policisë së Sllovenisë – OPS Podravje, znj. Anita Arzenšek, duke vendosur themelet e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të barabartë midis dy organizatave.
Ky bashkëpunim ka për qëllim:
✅ Forcimin e solidaritetit sindikal ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave profesionale;
✅ Organizimin e aktiviteteve profesionale, trajnimeve dhe seminareve të përbashkëta për përfaqësuesit sindikalë dhe punonjësit e policisë;
✅ Zhvillimin e projekteve sociale, kulturore, sportive dhe edukative që kontribuojnë në mirëqenien e punonjësve;
✅ Forcimin e bashkëpunimit institucional dhe sindikal në nivel evropian.
Ky nënshkrim vendos Sindikatën e Policisë së Kosovës në një rol të fuqishëm në rrjetin evropian të sindikatave policore, duke u bërë partner strategjik për bashkëpunime të ardhshme ndërkombëtare.
Gjatë vizitës zyrtare në Pejë, përfaqësuesit e të dy sindikatave zhvilluan takime profesionale, vizituan institucione kulturore dhe diskutuan planet e aktiviteteve të përbashkëta për vitin e ardhshëm, të cilat do të forcojnë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar midis Kosovës dhe Sllovenisë.
Kjo marrëveshje është dëshmi e qartë se bashkëpunimi dhe solidariteti ndërkombëtar janë shtylla themelore të zhvillimit sindikal dhe mbrojtjes së të drejtave të punonjësve të policisë.

Të ngjashme

Të fundit