31.5 C
New York
Wednesday, July 16, 2025

Buy now

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit ndër-institucional për mbrojtjen e të dhënave personale në kontekstin e komunikimit publik

- Advertisement -

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), Policia e Kosovës (PK), Inspektorati Policor të Kosovës (IPK) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi  ndër institucionale  për  mbrojtjen e të dhënave personale dhe respektimin e të drejtës për privatësi në kontekstin e komunikimit publik dhe raportimit medial.

Udhëheqësit e institucioneve, U.d. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi, Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dermaku, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha, Kryeshefi  Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, z. Kushtrim Hodaj, dhe Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, z. Xhemajl Rexha, janë zotuar për zbatimin e Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke theksuar nevojën  për respektimin e së drejtës për liri të shprehjes dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë raportimit medial.

Në kuadër të marrëveshjes, institucionet do të angazhohen për parandalimin e publikimeve të paautorizuara të të dhënave personale në media dhe publik, ndërmarrjen e veprime për forcimin e rregullatives së akteve nën ligjore të institucioneve për mbrojtjen e të dhënave personale dhe  rritjen e kapaciteteve profesionale për zyrtarët e institucioneve dhe mediave.

Marrëveshja e nënshkruar sot,  reflekton angazhimin e përbashkët  ndër- institucional për të garantuar respektimin e së drejtës për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale, duke marrë për bazë standardet demokratike të lirisë së medias dhe informimit publik, ruajtjen e integritetit të  proceseve hetimore dhe gjyqësore si dhe promovimin e gazetarisë profesionale, përkitazi me etikën gazetareske.

Marrëveshja ka për qëllim të adresojë shqetësimet për shpërndarjen apo publikimin e të dhënave personale në media dhe palë të treta, përveç  në rastet kur një veprim i tillë është i bazuar në dispozitë të qartë ligjore apo autorizim të posaçëm nga organi kompetent gjyqësor.

Në zbatimin e detyrimeve ligjore, në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes, institucionet  do të krijojnë Grupin Koordinues të përbashkët, i cili do të monitorojë zbatimin e Marrëveshjes dhe do të ndërmarrë veprime për plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të institucioneve për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit