Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas përfundimit të takimit, ka mbajtur konferencë të përbashkët me nënsekretaren amerikane të Shtetit, Elizabeth Allen. Osmani ka thënë se SHBA-ja është aleati kryesor i Kosovës, teksa në anën tjetër Allen ka përmendur Asociacionin. Kosova dhe SHBA-të kanë nënshkruar një marrëveshje kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja, ku janë theksuar sulmet hibride të Rusisë përmes Serbisë.
Presidentja Osmani, në këtë konferencë e ka falënderuar SHBA-në për mbështetjen ndaj Kosovës.
Osmani me Allen kanë nënshkruar marrëveshje kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja, duke thënë se është dëshimi e fuqizimit ndërmjet dy shteteve, teksa ka përmendur ndikimin e Rusisë përmes Serbisë.
“Fatkeqësisht as Kosova nuk është kursyer nga këto sulme të cilat sa vijnë e intensifikohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon përmes satelitit të saj, Serbisë. Kjo jo vetëm që është shqetësuese por paraqet rrezik aktiv për destabilizimin e rajonit tonë. Rusia në këtë mënyrë po përpiqet të ushtrojë ndikim duke targetuar sukseset dhe arritjet e angazhimit të përbashkët të popullit të Kosovës me shtetet demokratike, në veçanti me SHBA-të… Prandaj edhe ne si demokraci duhet të bashkohemi në mënyrë që ata të mos arrijnë këtë sukses.” – ka thënë ajo.
“Lufta e agresionit të Rusisë në Ukrainë shënoi momentin kulminant kur shtetet demokratike njëzëri dhe vendosmërisht u përkushtuan për t’iu kundërvënë propagandës ruse nëpërmjet mjete dezinformuese. Marrëveshja e sotme e nënshkruar mes republikës së Kosovës dhe SHBA-ve është në këtë funksion. Ajo nuk përbën vetëm tjetër marrëveshje, përkundrazi shënon një pikë kthese duke e fuqizuar dukshëm bashkëpunimin tonë… Kjo marrëveshje mirëkuptimi do të nxisë edhe një koordinim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim më të madh të institucioneve publike në vend, organizatave të shoqërisë civile, mediave si dhe të gjitha palëve të interesuara.” – ka thënë ajo, duke shtuar se “rezultatet e së cilës do të materializohen gjatë zbatimit të saj.”
“SHBA-të janë aleati ynë kryesor.” – ka thënë ndër të tjera Osmani.
Nga ana tjetër, Nënsekretarja Allen ka thënë se me Osmanin për hapat e Kosovës për integrimin euro-atlantik, duke përmendur Asociacionin.
“Ne diskutuam për hapin esencial të Kosovës në rrugën euroatlantike që Kosova të vazhdojë përpara në aspektin strukturor me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.
“Unë dhe presidentja Osmani këtë mëngjes e patëm një takim produktiv sa i përket dezinformimit, mbështetjes së shoqërisë civile dhe angazhimit multilateral. Gjithashtu diskutuam edhe për çështjet kritike të rrugëtimit euroatlantik dhe evropian të Kosovës. Ne e mbështesim rrugëtimin e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike përmes bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë. E di që është shumë e rëndësishme edhe për ju presidentja Osmani. Diskutuam edhe për hapat kryesorë për udhëtimin euroatlantik të Kosovës përmes asociacionit të komunave me shumicë serbe. Biseduam edhe për investimet në rini, trajnime dhe edukime për te siguruar një të ardhmë të ndritur.” – ka thënë ajo.
Më tejm ajo ka thënë se mund të ofrohet mbështetje më e mirë kur ka koordinim të ngushtë.
“Ne po ashtu folëm rreth çështje kritike të rrugës evropiane të Kosovës dhe asaj euroatlantike. Unë e ritheksova se mund ofrojmë mbështetjen më të mirë për Kosovën drejt rrugës evropiane dhe euroatlantike kur ne gëzojmë koordinim të ngushtë.” – ka thënë ajo.
Allen po qëndron për vizitë në Kosovë pas vizitës që pati edhe në Serbi. Pas takimit me Osmanin, nënsekretarja Allen do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.