Katarina Agjançiq, ish-punonjëse e Administratës Tatimore të Kosovës, ka pranuar pozitën e nënkryetares së Mitrovicës së Veriut.
Edhe pse ka dalë kundër shumicës së bashkëvendësve të saj serbë në veri të Kosovës, të cilët i kanë bojkotuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, Agjançiq thotë se nuk ka frikë e as sigurim.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ajo i përshkruan si “normale” marrëdhëniet e saj me partinë kryesore të serbëve – Lista Serbe.
Vendimin për të dalë kundër mosgatishmërisë së tyre për t’i dhënë fund bojkotimit të institucioneve të Kosovës tash e gjashtë muaj, Agjançiq thotë se e ka marrë për faktin se nuk ka mundur të qëndrojë duarkryq kundrejt pasojave që ka shkaktuar mosfunksionimi i institucioneve në katër komunat në veri të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Zonja Agjançiq, më 19 maj, jeni zgjedhur nënkryetare e Mitrovicës së Veriut. Në këtë pozitë ju ka emëruar kryetari Erden Atiq, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje. Fillimisht, a mund të na tregoni më shumë për veten?
Katarina Agjançiq: Kam lindur në Mitrovicë. Gjatë shkollimit dhe fillimit të karrierës sime, kam qëndruar në Prishtinë dhe kam filluar të punoj. Kështu kam filluar të njihem me sistemin tatimor, ligjin tatimor. Puna që kam filluar asokohe, është dashur të mësohet, të bëhet. Pas rreth 10 vjetësh, kur djali im është regjistruar në fakultetin në Mitrovicë, jam transferuar në Mitrovicë. Aty më kanë pranuar shumë normalisht, mirë… Djali ka mbaruar universitetin, unë kam qëndruar këtu [në Mitrovicë]. Ai nuk ka mundur, e as unë nuk kam mundur t’i gjej ndonjë vend pune, as si inxhinier mekanik, as si inxhinier i mbrojtjes së mjedisit… Duke ditur anglisht, gjermanisht, është dashur të largohet. Tani punon për një kompani gjermane. Vajza ka mbetur këtu dhe udhëheq një biznes të sajin privat.
Unë jam dikush që ka qenë organizatore dhe që mbetet organizatore e një shërbimi shtetëror [Administrata Tatimore e Kosovës], ku ke një ekip njerëzish, kolegësh, inspektorësh, ku duhet t’i përmbahesh shkronjës së ligjit.
“Asnjë politikan nuk qëndron pas meje”
Radio Evropa e Lirë: Ju e keni marrë këtë pozitë pasi serbët në veri i kanë bojkotuar zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës, në kohën kur shumica e serbëve i kanë braktisur institucionet e Kosovës, në kohën kur janë djegur makina në veri për faktin se janë riregjistruar me targa të Kosovës. Disa do ta cilësonin si të guximshëm vendimin tuaj. Çfarë ju ka shtyrë?
Katarina Agjançiq: Disa do ta cilësonin këtë lëvizje si të guximshme dhe kështu kanë bërë. Disa do ta quanin të çmendur. Por, për ata që më njohin, jam jashtëzakonisht parimore, kam qëndrimin tim.
Çfarë më ka shtyrë ta bëj këtë? Asnjë politikan nuk qëndron pas meje dhe nuk do të doja të qëndronte asnjë krah politik. Nuk do t’ia lejoja vetes të angazhohesha si anëtare e një partie politike. Pra, unë jam përgjegjëse për veten time dhe për mënyrën time të punës në interes të komuniteteve – të kujtdo që jeton atje. Unë nuk jam këtu për të udhëhequr politikë apo për t’u marrë me politikë. Këtë e bën dikush tjetër.
Në janar jemi përballur me përmbytje. Uji i Ibrit ka hyrë në të gjitha shtëpitë tona, nuk ka pyetur se kush është serb, kush është shqiptar e kush është boshnjak. Në atë fatkeqësi, që ka qenë shumë e vështirë ato ditë, të gjithë kanë ditur të flasin serbisht, shqip dhe turqisht, dhe fqinjët kanë vrapuar për të ndihmuar njëri-tjetrin. Aty kemi parë që nuk mund të jetojmë pa njëri-tjetrin. Aty kemi parë se nuk organizohemi dot pa institucione.
Por, sfidë ka qenë kthimi në jetën normale, rregullimi i dëmeve, kujt t’i drejtoheshim… A ka faj populli që dikush e ka braktisur pushtetin? Kemi pyetur ku është komisioni, të vijë t’i vlerësojë dëmet. Na kanë thënë se nuk ka komision që nga koha e dorëheqjeve. Ku janë inspektorët komunalë? Nuk ka. E çfarë ka? Ka kryetar kuvendi, delegatë. Çfarë bëjnë ata? Marrin vendime. Kush i zbaton? Askush.
Radio Evropa e Lirë: A ju ka shtyrë kjo që të angazhoheni?
Katarina Agjançiq: Pikërisht kjo më ka shtyrë. Mungesa e institucioneve në terren, për të përmirësuar jetën e njerëzve, për të normalizuar jetën. Kemi kaluar nga një fatkeqësi elementare në atë humanitare… dhe jemi në prag të një fatkeqësie ekologjike, duke hedhur helm për qentë në veri, tash e sa muaj.
Radio Evropa e Lirë: Si ka ardhur deri te bashkëpunimi me kryetarin?
Katarina Agjançiq: Jemi njohur vetëm me të parë. Por, kur ka pasur përmbytje, kur kam shkuar në shtabin e krizës, ku kemi dhënë informacione për shtëpitë tona të përmbytura, Atiq ka qenë aty. Kështu, kemi filluar t’i ndihmojmë të tjerët, të jemi solidarë, t’iu sigurojmë barna të moshuarve, terapi… t’i ndihmojmë fëmijët, sepse shumë në atë zonë jetojnë me asistencë sociale.
Radio Evropa e Lirë: Ju thatë se politika nuk qëndron prapa jush. Mirëpo, më herët, keni qenë në listën e përfaqësuesve të partisë së Nenad Rashiqit – aktualisht ministër në Qeverinë e Albin Kurtit…
Katarina Agjançiq: Keq. Kam qenë. Atëherë kam pasur ambicie, kam shpresuar se mund të bëj diçka.
Radio Evropa e Lirë: Pse thoni keq?
Katarina Agjançiq: Më vjen keq që kam humbur kohën kot dhe që kam shpresuar se mund të bëhem deputete.
“Nuk ka vend për frikë”
Radio Evropa e Lirë: Zonja Agjançiq, a keni sigurim?
Katarina Agjançiq: Jo, pse?
Radio Evropa e Lirë: Ndiheni e sigurt duke bërë këtë punë?
Katarina Agjançiq: Po.
Radio Evropa e Lirë: Në kohën kur shumica e serbëve i kanë braktisur institucionet e Kosovës?
Katarina Agjançiq: Nuk kam kohë të mendoj për këtë. Shumë njerëz, shumë qytetarë tashmë po telefonojnë dhe pyesin nëse do të zgjidhet kjo apo ajo. Nuk ka vend për frikë, pse frikë?!
Radio Evropa e Lirë: A mendojnë kështu edhe qytetarët tjerë serbë në veri?
Katarina Agjançiq: Jo. Nuk na ka krijuar Zoti të gjithëve njësoj. As me motrën time nuk jam njësoj. Ajo mund të ketë frikë, nuk e di. Por, unë nuk kam përzënë askënd, dhe nuk kam marrë asgjë. E përsëris, nuk drejtoj politikë dhe nuk kam lindur për këtë. Nuk di të drejtoj politikë. Unë dua që komuniteti im, të gjitha komunitetet qytetare të ndjejnë normalizim të jetës në sfera të ndryshme. Asfaltim të rrugëve.
Unë jetoj në një rrugë [në Mëhallën e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut] 800 metra të gjatë… Tri herë kemi shkruar kërkesa, peticione, lutje – nuk është asfaltuar asnjëherë. Prioritetet e mia kanë të bëjnë me zhvillimin e qytetit, investimet kapitale, ndriçimin e rrugëve. Prioritet është edhe zhvillimi i shtratit të lumit Ibër.
“Serbët të kthehen në institucione me konkurs”
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se mund ta ndihmoni procesin e kthimit të serbëve në institucione?
Katarina Agjançiq: Nuk jam e thirrur t’i kthej serbët në institucione. Unë mirëpres çdo serb, goran, turk dhe rom – këdo që është profesionist dhe kompetent. Konkurset do të shpallen. A mund të kthehet dikush pas gjashtë muajsh? Kush jam unë që ta vendos këtë?
Radio Evropa e Lirë: A ishte kthimi në institucione mesazhi juaj për komunitetin lokal?
Katarina Agjançiq: Po, por nëse shpallja e konkursit është e ligjshme, të kthehen me konkurs. Në rrugë ligjore.
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Listën Serbe?
Katarina Agjançiq: Krejt normale. Ne njihemi për kohë të gjatë. Shikoni, njihemi… Por, nuk kemi asgjë të keqe me njëri-tjetrin. Ka respekt, nderim nga ana ime, dhe nga ana e tyre nuk kam ndjerë kurrë diçka të keqe. Thjesht, nuk e di pse do të duhej të kishte ndonjë nam mes nesh. Nuk ka arsye.
Radio Evropa e Lirë: Sepse janë kundër pjesëmarrjes në institucionet e Kosovës. Bëjnë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve…
Katarina Agjançiq: Epo, unë nuk i dëgjoj. Kush duhet të dëgjojë, le të dëgjojë. Unë nuk duhet. Ja, nuk dua.
Radio Evropa e Lirë: Nuk pajtoheni me këtë politikë?
Katarina Agjançiq: Jo.
“Pse të lë diçka ku funksionova mirë dhe me sukses tash e 20 vjet?”
Radio Evropa e Lirë: Ju keni qenë ndër të paktët nga komuniteti serb që nuk keni dhënë dorëheqje nga institucionet i Kosovës [Administrata Tatimore e Kosovës]. Pse?
Katarina Agjançiq: Pse të lë diçka ku funksionova mirë dhe me sukses tash e 20 vjet? Thjesht, unë u duhem njerëzve, komunitetin tim në veri, që t’i udhëzoj të mos gabojnë, të jenë të kujdesshëm. Unë e di punën time.
Radio Evropa e Lirë: A jua ka kërkuar dikush këtë?
Katarina Agjançiq: Jo.
Radio Evropa e Lirë: A keni pasur ndonjë situatë të pakëndshme për faktin që nuk keni dhënë dorëheqje?
Katarina Agjançiq: Jo.
Radio Evropa e Lirë: Atëherë, pse të tjerët nuk mund të veprojnë nisur nga ndërgjegjja e tyre?
Katarina Agjançiq: Nuk e di. Askush nuk më ka dhënë ofertë që të largohem, askush nuk më ka kërcënuar që nuk e kam bërë. Jo, nuk kam përvoja të tilla. Nuk më pëlqen të flas për këtë temë as me miqtë e mi nga komuniteti im. A mund të ndihmoj? Nuk mundem. Kjo është politikë.
Radio Evropa e Lirë: Të kthehemi te vetëqeverisja lokale. Çfarë fuqie do të ketë pushteti vendor i zgjedhur me 3.4 për qind të votave?
Katarina Agjançiq: Nëse ligji zgjedhor thotë se këtu nuk ka prag, sado qytetarë që të dalin, fiton ai që ka më shumë vota. Nëse ai i ka pasur 550 apo 5.500 [vota], për mua nuk ka rëndësi nëse ai është një njeri i mirë që dëshiron të punojë, t’i ndihmojë komunitetet dhe unë e di që ai do.
Radio Evropa e Lirë: A do t’ju pranojë popullata lokale?
Katarina Agjançiq: Popullata lokale do rezultate, njerëzit duan rezultate. Unë nuk kam pyetur nëse do të më pranojnë ose jo, por e kam marrë përgjegjësinë mbi vete dhe dua të arrij rezultate. Le të thonë kështu apo ashtu, e mirë apo e keqe. Ka kohë që i kam lënë prapa këto. Kështu më ka mësuar zyra e tatimeve. Taksambledhësit nuk i do askush.
Radio Evropa e Lirë: Sot (22 maj) ishte dita juaj e parë e punës. Si dukej sot vetëqeverisja lokale?
Katarina Agjançiq: Në komunë punojnë njerëz që kanë punuar edhe më herët, nga komuniteti shqiptar. Qytetarët kanë vazhduar të vijnë për të nxjerrë dokumente. Tani prioriteti ynë është t’i krijojmë drejtoritë sa më shpejt që të jetë e mundur, ta formojmë një shërbim ekzekutiv dhe të fillojmë me kapacitet të plotë.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se do të zgjasë kjo qeverisje?
Katarina Agjançiq: Nuk e kam menduar, nuk dua ta ngarkoj veten me këtë. Nuk varet nga unë apo nga ju. Është e rëndësishme për mua t’i arrij disa rezultate. Dyert tona janë të hapura për të gjithë, përfshirë opsionet politike, qytetarët – këdo që ka qëllime të mira.
Radio Evropa e Lirë: Ka pasur shumë tensione vitin e kaluar në veri të Kosovës. Sipas jush, cilat janë zgjidhjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Katarina Agjançiq: Kjo është ajo politika e lartë, ku Beogradi dhe Prishtina duhet të frenojnë, të ndryshojnë retorikën, mënyrën e retorikës. Pastaj, tensionet do të ulen dhe do të qetësohen, por, përsëri, kush jam unë që t’i këshilloj politikanët e lartë? Por, populli mendon kështu.