“Anulimi i seancave nga 27 deri më 30 nëntor është bërë për arsye praktike/logjistike. Seanca e radhës është caktuar për 3 nëntor 2025”, thuhet në përgjigjen e saj.
E sipas kalendarit të Speciales, me shtyrjen e katër seancave të tetorit, në muajin nëntor janë paraparë 16 seanca gjyqësore dhe 8 të tjera në dhjetor, për të shkuar në pushim dimëror.
Për shtyrjen e seancave, ka folur nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Fatmir Sopi, i cili tha se zvarritjet e procesit ndaj ish-krerëve nuk janë diçka e re. Por, sipas Sopit, shqetësuese tani është refuzimi i provave të mbrojtjes së Krasniqit për krimet serbe në Kosovë, pasi, siç tha ai, specialja me këtë dëshmoi përsëri njëanshmërinë e saj.
Bazuar në zhvillimet e deritanishme, vendimi i shkallës së parë për Thaçin dhe të tjerët, sipas avokatit, Ardian Bajraktari, mund të merret në fillim të vitit të ardhëm. Por, edhe Bajraktari thotë se është padrejtësi që refuzohen provat e palës kosovare dhe pranohen ato nga institucionet serbe.
“Kjo dëshmon në bindjen time mungesën e vullnetit edhe të gjykatës, përveç të prokurorisë për me ardh deri te e vërteta e asaj çka në fakt ka ndodh në vitin 1998-99, për faktin se këto prova do të shkonin në funksion të konstatimit të asaj se kush ka kryer krime e që siç dihet natyrisht janë autoritetet serbe, të cilët edhe si urdhërdhënës edhe si ekzekutor i kanë kryer një varg masakrash dhe krimesh në vitin 98-99”, tha ai.
Gjatë nëntorit në gjykatë pritet të vijë dëshmitari i pestë i mbrojtjes së Thaçit. Derisa, në shenjë kundërshtimi me gjykatën dhe procesin, pas dy protestave në Prishtinë, një në Hagë dhe një tjetër në Tiranë, është paralajmëruar se protesta e radhës do të mbahet në një kryeqendër evropiane.