Arbër Ademi, nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, ka deklaruar se Ali Ahmeti, kryetari i partisë së tij, nuk është ndalur asnjëherë duke punuar për shqiptarët, përfshirë edhe Kosovën.
Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ai ka folur për deklaratën që ka dhënë Ahmeti se bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, ia kishin shprehur shqetësimet e ndërkombëtarëve kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit, por se nga ky i fundit nuk pati reagim.
Ademi theksoi se është fatkeqësi për Kosovën që i është pezulluar Dialogu Strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe masat që tashmë janë vendosur nga Bashkimi Evropian.
“Nuk i di arsyet pse Albin Kurti nuk dëgjon këshillat, qoftë nga Ali Ahmeti, qoftë nga Edi Rama. Ajo që mund ta them e konfirmoj plotësisht është se zoti Ahmeti asnjëherë nuk ka reshtur së punuari për Kosovën dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi. Aq më tepër kur nga viti 2001 e këndej, zoti Ahmeti në politikën legale është pjesë e institucioneve dhe ka një ndikim të pashoq jo veç ndër shqiptarët, por edhe ndër të gjithë politikanët këtu në Maqedoninë e Veriut, duke kultivuar raporte shumë të mira me SHBA-në dhe me institucionet e BE-së, si dhe me shtetet anëtare kryesore të BE-së.”
“Fatkeqësisht, ju në Kosovë rezultatet po i ndjeni në lëkurën tuaj, duke qenë Kosova në një pako me Korenë e Veriut, Bjellorusinë dhe Rusinë, pjesë të sanksioneve nga Bashkimi Evropian, fatkeqësisht edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zoti Ahmeti e ka thënë disa herë se ‘Lirinë e fituam me gjak, por çlirimin me aleatë’. Sigurisht, do të duhet të bashkërendohen të gjitha aktivitetet e bashkërendimit institucional dhe jo institucional, në të gjithë Ballkanin Perëndimor, për të pasur progres në të gjithë këtë Kosovë, e cila përbën një zonë neurologjike të vetë kontinentit evropian”, tha Ademi.