Nënat zëvendësuese kanë më shumë gjassa që të diagnostikohen me një sëmundje të shëndetit mendor gjatë dhe pas shtatzënisë sesa gratë që mbajnë në bark fëmijën e tyre, thonë studiuesit.
Shtuar kësaj, pavarëësisht ngjizjes, gratë me historik sëmundjesh të shëndetit mendor kanë rrezik më të lartë që të diagnostikohen me to gjatë dhe pas shtatzënisë sesa ato që nuk kanë.
Ligjet për nënat zëvendësuese ndryshojnë në vende të ndryshme, por kjo praktikë po lulëzon. Sipas Global Market Insights, tregu pritet të rritet nga 27,9 miliardë dollarë në vitin 2025 në 201,8 miliardë dollarë në 2034.
“Studimet tona nënvizojnë rëndësinë e analizave të duhura dhe këshillimin e nënave të mundshme zëvendësuese përpara shtatzënisë për mundësinë e një sëmundjeje të re mendore ose rishfaqjen e saj gjatë dhe pas shtatzënisë”, thotë autorja e studimit, Maria Velez nga McGill University në Kanada. “Gjithashtu, parashikimi i mbështetjes gjatë dhe pas shtatzënisë mund të jetë shumë i rëndësishëm për nënat zëvendësuese.”
Velez dhe kolegët e saj analizuan të dhëna nga 767,406 lindje në Ontario që i përkasin periudhës 1 prill 2012 deri më 31 mars 2021.
Nga këto, 748,732 ishin ngjizje të paasistuara, 758 ishin përmes nënave zëvendësuese dhe të tjera fekondim artificial te nënat që ishin shtatzënë me fëmijët e tyre. Velez tha se pjesa më e madhe e rasteve të nënave zëvendësuese në Kanada ishin me këto të fundit që nuk lidheshin me fëmijën, pra vezët nuk ishin përdorur gjatë ngjizjes.
Ndër gratë e përjashtuara nga kjo analizë fillestare ishin ato që kishin një histori të dokumentuar të sëmundjeve mendore para datës së vlerësuar të ngjizjes.
Ekipi analizoi numrin e grave në secilin grup që kishin një diagnozë për sëmundje mendore të re të shfaqur pas datës së vlerësuar të ngjizjes, siç janë çrregullimi i ankthit, çrregullimet e humorit, vetëlëndimi apo psikoza.
Këto diagnoza u shfaqën te 236 nëna zëvendësuese, 195,022 gra që kishin ngjizur pa ndihmë mjekësore dhe 4,704 gra që kishin marrë trajtim me IVF.
Pasi u morën parasysh faktorë si mosha, të ardhurat, pirja e duhanit dhe numri i fëmijëve, kjo korrespondonte me një shkallë të incidencës 43% dhe 29% më të lartë të sëmundjeve të reja mendore për 100 persona, përkatësisht te nënat zëvendësuese krahasuar me gratë që kishin ngjizur pa ndihmë ose me IVF.
Për të tre grupet, diagnoza më e zakonshme ishte çrregullimi i humorit ose i ankthit, ndërsa koha mesatare nga ngjizja deri te diagnoza ishte e ngjashme, rreth dy vjet e gjysmë.
Studiuesit zbuluan se rreziku për zhvillimin e një sëmundjeje të re mendore mbetej i lartë te nënat zëvendësuese, por në një shkallë më të ulët kur krahasoheshin me gratë që kishin ngjizur pa ndihmë, por nuk jetonin më me fëmijën e tyre një vit pas lindjes.
“Ky zbulim mund të sugjerojë se disa nëna zëvendësuese mund të përjetojnë dhimbje emocionale pas ndarjes nga foshnja, të ngjashme me ato që ndodhin pas birësimit ose kur fëmija merret nga kujdesi prindëror, diçka që kërkon studime të mëtejshme,” tha Velez.
Ekipi më pas kreu analiza shtesë që përfshinin gratë me një histori të mëparshme të sëmundjeve mendore dhe zbuloi se të gjitha grupet në këtë kategori kishin një shkallë më të lartë të shfaqjes së re të sëmundjeve mendore sesa ato pa një histori të tillë. Megjithëse në Kanada kërkohet që kandidatet për të qenë zëvendësuese t’u nënshtrohen vlerësimeve psikologjike, rezultatet zbuluan se 19% e tyre në studim kishin një diagnozë të dokumentuar të sëmundjes mendore para shtatzënisë.
Ky studim pason kërkime të mëparshme nga i njëjti ekip, që kanë treguar se nënat zëvendësuese kanë më shumë gjasa të përjetojnë komplikacione si gjakderdhje e rëndë pas lindjes dhe preeklampsi të rëndë.