17 C
New York
Wednesday, October 22, 2025

Buy now

Nënat e Çairit, motrat e Tetovës, vajzat e Sarajit ishin arkitektet e fitores së VLEN-it

- Advertisement -

Shkruan: Astrit Gashi

Ka momente kur një shoqëri zgjohet jo për shkak të politikës, por përkundër saj. Zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoninë e Veriut ishin një prej atyre momenteve të rralla të vetëdijes kolektive të cilat shfaqën një revoltë e heshtur, e qetë të gruas shqiptare kundër abuzimit të gjatë me figurën e saj në politikë.

Për dekada me radhë, pushteti i vjetër, i mishëruar në BDI, e kishte kthyer gruan shqiptare në një figurë dekorative të sistemit të pranishme në fushata, por të përjashtuara nga vendimmarrja. Ato u ngritën në fjalë, por u nënvlerësuan në vepra. U përdorën si imazh për modernitet, por u mohuan si thelb i barazisë. Aty ku duhej përfaqësim, u ofrua fasadë aty ku duhej zë, u imponua heshtje.

Kësaj here, ajo heshti, por votoi ndryshe. Dhe në atë heshtje kishte më shumë revoltë se në çdo fjalim politik. Gruaja shqiptare nuk doli në rrugë, nuk bëri deklarata, por foli përmes votës së saj e perdori si armën më të fortë. Me qetësi, dashuri dhe vendosmëri, ajo ndëshkoi politikën që e kishte keqpërdorur për dy dekada, duke e kthyer votën në një akt emancipimi qytetar dhe moral.

Në këtë ndryshim të thellë e të matur, koalicioni VLEN u shfaq si përfaqësuesi më autentik i një filozofie të re politike. Nën frymën e Izet Mexhitit dhe bashkëpunëtorëve të tij, ky koalicion e kuptoi se gruaja shqiptare nuk është më spektatore, por aktore e ndryshimit jo figurë për propagandë, por burim i moralit publik.
VLEN nuk foli për të, por foli me të. Dhe kjo ndryshoi gjithçka. Fushata mori trajtën e një dialogu me qytetarin, jo të një monologu nga pushteti. Ishte fushata më e qetë, më dinjitoze dhe më qytetare që ka njohur ndonjëherë politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut pa tensione, pa përçarje dhe pa asnjë incident që do ta njolloste procesin demokratik.

Rezultatet e zgjedhjeve e dëshmuan këtë transformim me fitoret në Çair, Tetovë, Saraj, Zhelinë, Bogovinë, Haraçinë e Tearcë, si dhe përparësitë në Strugë, Dibër e Dollnen, nuk janë vetëm suksese elektorale por janë shenja të një vetëdije të re politike dhe qytetare.
Këto komuna, qendra simbolike të jetës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, u rreshtuan pas një vizioni të ri, ku ndershmëria në shërbim dhe respekti për qytetarin janë më të rëndësishme se çdo interes partiak.

Në të kundërt, kampet e tjera politike të lodhura nga vetëpërsëritja dhe konfliktet e brendshme nuk arritën të dalin nga hija e së shkuarës. AKI dhe aleatët e saj, Ziadin Sela e Arben Taravari, përjetuan një dështim të qartë politik, duke fituar vetëm Likovën nga kandidati BDI-së ndërsa në Gostivar e Vrapçisht nuk arritën as pragun e vlefshmërisë sepse qytetari nuk pati motiv të votoj ky është më shumë së deshtim. Në Kërçovë, një bastion historik, kriza e besimit dhe afera që tronditi fushatën e bënë të dukshme zbrazëtinë morale të kampit që dikur pretendonte të përfaqësonte ndryshimin.

Por përtej numrave, këto zgjedhje dhanë një mësim më të thellë së politika shqiptare ka hyrë në fazën e maturisë morale.
Fushata e VLEN-it u ndërtua mbi qetësinë, respektin dhe komunikimin njerëzor duke investuar në jetën e qytetarit. Mungesa e ofendimeve, përmbajtja në fjalor dhe dinjiteti në debat nuk ishin rastësi ishin filozofi politike. Ishin kthesa që e ngritën diskursin publik mbi përleshjen për pushtet dhe e afruan politikën me qytetarin e lodhur nga cinizmi dhe patriotizmi i rremë i liderve të lodhur.

Në këtë sfond, Izet Mexhiti nuk fitoi vetëm Çairin ai fitoi besimin e gruas shqiptare.
Prandaj, këto zgjedhje nuk janë triumf i një partie mbi tjetrën. Janë fitore e dinjitetit mbi hipokrizinë, e qetësisë mbi arrogancën, e moralit mbi manipulimin.
Kjo fitore nuk është e vetëm një koalicion është vetë ndërgjegjja e shoqërisë shqiptare, e udhëhequr këtë herë nga gruaja që nuk pranoi më të përdoret, por të dëgjohet.

Në fund, historia e këtyre zgjedhjeve mund të përmblidhet në një fjali:

Nënat e Çairit, motrat e Tetovës dhe vajzat e Sarajit nuk ishin më dekor i politikës por ato ishin arkitektet e fitores.

Të ngjashme

Të fundit