26.3 C
New York
Thursday, August 7, 2025

Buy now

“Nëna më e keqe e Australisë” merr mbi 1 milion euro dëmshpërblim pas 20 vitesh burgim të padrejtë

- Advertisement -

Kathleen Folbigg, gruaja që u cilësua dikur si “nëna më e keqe e Australisë”, do të përfitojë një dëmshpërblim prej mbi 1 milion euro për 20 vitet që kaloi padrejtësisht në burg.

Ajo u dënua në vitin 2003 për vdekjen e katër fëmijëve të saj, por u lirua në vitin 2023, pas një rishikimi gjyqësor të çështjes së saj, i cili zbuloi se fëmijët mund të kenë vdekur nga një sëmundje e rrallë gjenetike.

Sipas mediave ndërkombëtare, avokatja e saj, Rhanee Rego, deklaroi se Folbigg ka marrë një ofertë dëmshpërblimi prej 1.116.598 euro, një shumë që ajo e cilësoi si “të padrejtë” dhe “moralisht fyese”.

“Shuma që ofrohet është një fyerje morale, krejtësisht e pamjaftueshme dhe e pajustifikueshme. Sistemi e ka dështuar sërish Kathleen Folbigg”, u shpreh Rego.

Katër fëmijët e Folbigg, Caleb, Patrick, Sarah dhe Laura, ndërruan jetë papritur midis viteve 1989 dhe 1999, në moshën nga 19 ditë deri në 18 muaj. Prokuroria në atë kohë pretendoi se ajo i kishte mbytur, duke u mbështetur në prova të dobëta dhe në ditarët e saj personalë, ku shfaqeshin momente të vështira emocionale.

Në vitin 2003, ajo u dënua me 40 vite burg për vrasjen e tre fëmijëve dhe për vrasje nga pakujdesia për fëmijën e katërt, dënim që më vonë u ul në 30 vite pas një ankese.

Në vitin 2023, një hetim i ri gjyqësor zbuloi se fëmijët mund të kishin vdekur nga shkaqe natyrore, për shkak të mutacioneve gjenetike shumë të rralla, duke çuar në lirimin dhe rehabilitimin e saj.

Avokatja e saj shtoi gjithashtu se krahasuar me raste të tjera, si ajo e Lindy Chamberlain – një nënë tjetër e dënuar gabimisht që mori 1.7 milionë dollarë për vetëm 3 vite burg – dëmshpërblimi për Folbigg është thellësisht i padrejtë.

Megjithëse Qeveria e Uellsit të Ri Jugor konfirmoi pagesën e kompensimit, ajo nuk pranoi të publikojë detajet e vendimit, duke iu përgjigjur kërkesës së vetë Folbigg për konfidencialitet. /Top Channel/

Të ngjashme

Të fundit