Ka nisur takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Përfaqësuesit e VV-së nuk po marrin pjesë në takim.
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, pak më parë ka thënë se partia që ajo përfaqëson nuk do të marrë pjesë në takimin konsultativ të ftuar nga presidentja Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve me liderët e partive politike.
“Nuk ka asnjë arsye për të marrë pjesë në një takim të tillë për faktin se ky veprim bie ndesh me Kushtetutën”, u shpreh Nagavci.
Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë sot dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se dështimi i të enjtes mbrëma i deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ka shtyrë Kosovën në zgjedhje të reja.
Osmani tha se fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë ditët që i kishte në dispozicion, nuk e ndryshon Kushtetutën.
“Fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë ditët që i kishte në dispozicion, nuk e ndryshon Kushtetutën tonë. Asnjë kërkesë për masë të përkohshme në Gjykatën Kushtetuese nuk e pezullon automatikisht rrjedhjen e afatit kushtetues. Vetëm një vendim i Gjykatës do të mund ta bënte një gjë të tillë. Dhe një vendim i Gjykatës nuk ekziston deri në këto momente. Kemi një situatë ku afati kushtetues tashmë ka përfunduar”, tha ajo.
Ajo u shpreh se vendin në këtë situatë e sollën “njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme. Alternativa pra, zvarritjet do të krijonin situata shumë më të rrezikshme. Paqartësi kushtetuese, një proces i zvarritu pafund, siç e kemi parë në tërësi edhe vitin e kaluar dhe një shtet që tenton ta relativizojë edhe vet Kushtetutën e tij.
Shteti mbahet në këmbë nga një parim i vetëm: Ligji e Kushtetuta mbi të gjithë. Sot po përmbush një detyrim të qartë kushtetues dhe po ua rikthej fjalën atyre që në demokraci e kanë fjalën e fundit, qytetarit të Republikës”, tha Osmani.






