Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po e vazhdon edhe të mërkurën dëshminë dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), me kodin W01493 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar, i cili është i 40-ti me radhë i ZPS-së, po e vazhdon dëshminë në seancë private për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai e filloi dëshminë e tij në Hagë të hënën (15 janar), duke vazhduar kështu për të tretën ditë me radhë.
Dëshmitari është duke dhënë dëshminë përmes video-lidhjes, e po ashtu në të njëjtën mënyrë po e përcjell seancën Jakup Krasniqi, ndërsa të tjerët janë në sallën e gjyqit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020