Në prag të shortit të Ligës së Kombeve për sezonin 2026/27, UEFA ka dalë me një sqarim rreth situatës së kombëtares së Kosovës.
Kombëtarja dardane siguroi kualifikimin për Ligën B të Ligës së Kombeve, pasi fitoi në “play-off” ndaj Islandës në muajin mars të vitit të kaluar.
Kosova ishte pjesë e Ligës C dhe kishte përfunduar e dyta, në një grup me Rumaninë, Qipron dhe Lituaninë, duke marrë 12 pikë nga gjashtë ndeshje.
Shorti për Ligën e Kombeve të sivjetme do të mbahet më 12 shkurt 2026 në Bruksel të Belgjikës, pjesë e të cilit është edhe kombëtarja e Kosovës, si pjesë e Ligës B.
Në Ligën B është edhe Bosnja e Hercegovina, kundërshtar që Kosova nuk mund ta ketë, shkaku i rregullave të UEFA-s.
UEFA e ka sqaruar situatën e Kosovës dhe Bosnjës përmes një njoftimi zyrtar.
“Bazuar në vendimet e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të vlefshme në kohën e hedhjes së shortit, ekipet që nuk mund të jenë në një grup, janë: Bosnjë-Hercegovina (Liga B, vazo 2) – Kosova (Liga B, vazo 4).
Përballjet e tjera të ndaluara nuk mund të ndodhin për shkak se ekipet përkatëse nuk luajnë në të njëjtën ligë”, shkruan në njoftimin e UEFA-s.






