Në këtë video, Griep thekson rëndësinë që Gjykata i kushton mbrojtjes së dëshmitarëve dhe viktimave, të cilët, sipas saj, duhet të kenë mundësinë të tregojnë historinë e tyre “pa frikë”.
Ajo kujton se vendimi për zhvillimin e proceseve gjyqësore për krime lufte jashtë territorit të Kosovës është marrë në bashkëpunim mes institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, pikërisht për të garantuar siguri më të lartë për dëshmitarët dhe viktimat.
“Në Kosovë, si në të gjitha vendet demokratike, është e paligjshme të përpiqesh të ndalosh një viktimë apo dëshmitar që të tregojë historinë e tij, qoftë përmes kërcënimeve apo premtimeve për shpërblim”, thekson Griep në mesazhin e saj.
“Është po ashtu e kundërligjshme t’i thuash një dëshmitari të gënjejë në gjykatë apo të ndryshojë dëshminë. Njerëzit që shkelin këto rregulla mund të gjykohen dhe dënohen nga Dhomat e Specializuara.”
Sipas saj, deri tani pesë persona janë shpallur fajtorë ose kanë pranuar fajësinë për frikësimin e dëshmitarëve, ndërsa pesë të tjerë janë akuzuar për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitarë.
“Mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve është prioriteti më i lartë në Dhomat e Specializuara. Ata mbrohen para, gjatë dhe pas dëshmisë së tyre”, përfundon Griep.
Ndërkohë, për nesër nga ora 17:00, organizatat që përfaqësojnë veteranët e UÇK-së kanë paralajmëruar një protestë në Prishtinë, nën moton “Kundër padrejtësive” që, sipas tyre, po u bëhen ish-drejtuesve të luftës të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.
Kjo protestë vjen në një moment kur është bërë e ditur se Gjykata Speciale ka pranuar dokumente nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), të cilat do të përdoren si dëshmi në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Aktualisht, Dhomat e Specializuara ndodhen në pushim veror deri më 15 gusht dhe gjatë kësaj periudhe janë pezulluar edhe konferencat javore për media, megjithatë video-mesazhi i publikuar sot nga Specialja është shpërndarë si reagim në një kohë të tensionuar.