Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës ka shpallur tender në vlerë rreth 10 mijë euro për intervenime emergjente për rregullimin e varrit të heroit Afrim Bunjaku, i cili u vra në shtator të vitit të kaluar nga grupi terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës.
Kërkesa për rregullimin e varrit të Bunjakut vjen nga Ministria e Punëve të Brendshme, në prag të përvjetorit të rënies së tij, raporton Express-i.
Sipas dosjes së tenderit të publikuar në e-prokurim, afati për t’u kryer këto intervenime, ku përfshihen punët përgatitore, të varrit, rrethojës dhe pllatosë, është 20 ditë nga dhënia e kontratës.
“Ky AP ka të bëjë me projektin Intervenimet emergjente – rregullimi i varrit të heroit “Afrim Bunjaku” – Samadrexhë, Vushtrri, që ka ardhur si kërkesë nga MPB-ja për të rregulluar varrin e heroit të kombit, të ndjerit Afrim Bunjaku i cili kishte detyrën e policit dhe që ishte vrarë nga grupet kriminale serbe në veri të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Te punët e varrit, parashihet furnizimi, transporti dhe montimi i pllakës së mermerit.
Vlera e parashikuar e kontratës është 9 mijë e 995 euro.
Kompanitë e interesuara për këtë tender kanë afat të dorëzojnë ofertat deri më 27 gusht, në orën 11:00, kur edhe do të bëhet hapja e tenderëve.
Ndryshe, Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit gjatë një sulmi terrorist që u krye ndaj Policisë së Kosovës. Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marr kryeterroristi Milan Radojçiq.

