2.6 C
New York
Sunday, February 22, 2026

Buy now

Në prag të përfundimit të mandatit të presidentes, opozita të vendosur për dialog ndërpartiak

- Advertisement -

Më 4 mars përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, e nëse deri atëherë nuk arrihet të zgjedhet presidenti apo presidentja, vlerësohet se vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.

Ndonëse nuk ka zyrtarisht kandidat për president, megjithatë partitë opozitare se për votën e tyre duhet një dialog ndërpartiak, ndërkaq për presidenten Vjosa Osmani japin vlerësime se ajo pati anshmëri gjatë mandatit të saj.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami në një intervistë për Ekonomia Online tha se

“Deri në këtë fazë që po flasim, nuk ka asnjë takim, si me thënë, serioz për të diskutuar për emrin e presidentit. Unë besoj që kjo do të ndodhë në ditët në vazhdim dhe pozicioni i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë. Ajo duhet të ndodhë përmes një dialogu ndërpartiak, sepse edhe figura e presidentit duhet të jetë mbipartiake dhe duhet të respektojë konsensusin e kësaj shoqërie”, tha Behrami.

Se a ka PDK votë për Vjosa Osmanin, Behrami u shpreh se kërkojnë kompromis ndërpartiak.

“Partia Demokratike e Kosovës tashmë e ka pozicionin politik të qartë. Ne kërkojmë dialog, kompromis ndërpartiak, për të gjetur një figurë për president ose presidente, i cili ose e cila e respekton kushtin kryesor që është në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që përfaqëson unitetin qytetar të Republikës së Kosovës. Deri më sot nuk kemi dëgjuar nga partitë politike që kanë bërë propozime. Unë besoj që jemi në fund edhe të afatit, shumë shpejt partitë do të mblidhen edhe do t’i shqyrtojnë të gjitha propozimet që vijnë nga ta”, tha ai.

Behrami gjithashtu theksoi se deri më tani nuk kanë pranuar ftesë nga LVV për diskutim, por nëse ndodh një gjë e tillë, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, do t’i përgjigjet ftesës.

“Isha në Komision për të Drejtat e Njeriut deri më tani, në një diskutim shumë të mirë, dhe para se me hy në komision nuk ka pasur ftesë të tillë. Nuk e di nëse ka ndryshuar ndërkohë. Kryetari, zoti Bedri Hamza, tashmë e ka bërë të qartë që nëse ka një ftesë të tillë, padyshim që ai do të merr pjesë për të diskutuar jo vetëm me VV-në, por edhe me partitë e tjera për të gjetur një figurë e cila e unifikon popullin e Kosovës dhe e cila i respekton edhe këto kritere dhe këto vlera për të cilat edhe në të cilat beson PDK-ja”, tha Behrami.

Deputeti theksoi se PDK nuk ka marrë iniciativë që ta ketë kandidat për president Bedri Hamzën.

“Deri më tani nuk ka iniciativa të tilla. Unë besoj që krejt këto dilema të cilat janë në opinionin publik do të sqarohen në ditët e ardhshme ku mund të ketë edhe takime”, u shpreh Behrami.

E ndonëse ende jo zyrtarisht, megjithatë, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi në një intervistë për Ekonomia Online tha se presidentja Vjosa Osmani gjatë mandatit të saj ka qenë e njënashme.

“Së pari ende nuk e dimë që Vjosa Osmani do të rikandidohet, sepse aty ka në dorë shumica parlamentare dhe ende nuk kemi ndonjë konfirmim nga Lëvizja Vetëvendosje që a do ta qet si kandidate. Mirëpo, pavarësisht punës të cilën e ka bërë presidentja Osmani që na ka përfaqësuar si grua në mënyrë të mirë, mirëpo kisha dashur që të jetë një kandidat, që një president unifikues. Sepse ne e dimë të gjithë, jo vetëm unë, po të gjithë partitë, të gjithë Kosova që presidentja Osmani ka qenë e njëanshme. Kështu që po kërkojmë një president që të jetë unifikues”, tha ajo.

Bytyqi tregoi edhe për cësthjen e nënshkrimeve që Ramush Haradinaj të jetë kandidat për president.

“Është e vërtetë që ne kemi dërguar nga një ftesë partive opozitare për nënshkrime, por nuk kemi marrë ndonjë përgjigje konkrete. Kështu që nuk ka diçka që muj me e thanë ma tutje, sepse me 6 vota në Kuvend nuk është diçka që mujna me bo. As jemi votë që mujna me zgjedh presidentin, mirëpo as nuk do të mund ta qesim një kandidat nga opozita. Kuptohet zoti Haradinaj. E thashë, përderisa ju kemi dërguar nga një ftesë partive opozitare, nuk kemi marrë ndonjë përgjigje konkrete për shkak se kanë hezituar me na i dhanë një përgjigje. Mirëpo tash po mbetet në dorë të Lëvizjes Vetëvendosje përderisa është shumica parlamentare”, theksoi ajo.

Një ftesë nga LVV nuk ka shkuar as në adresën e AAK-së, ndonëse ditët kur Osmanin i përfundon mandatit janë afër.

“Jo, nuk kemi marrë. As nga Lëvizja Vetëvendosje që është partia më e madhe, mirëpo as nga partitë opozitare. Përderisa s’kemi ndonjë ftesë, nuk kemi as çka të bisedojmë ma tutje”, shtoi ajo.

Të ngjashme

Të fundit