Presidenti Donald Trump do të mbajë të martën fjalimin e parë drejtuar Kongresit amerikan që kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë për herë të dytë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, Presidenti Trump pritet të flasë rreth nevojës për t’u dhënë fund luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, vendosjen e tarifave ndaj importeve të huaja dhe shkurtimet qeveritare.
Pas marrjes së mandatit të parë, Presidenti Trump foli para Kongresit në marsin e vitit 2017. Në fjalimin e parë në Kongres pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë për herë të dytë, Presidenti Trump pritet të vërë në pah përpjekjet e vazhdueshme të administratës së tij për të ndërmjetësuar negociatat e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Synoj paqen. Nuk po kërkojmë të futemi në një luftë 10-vjeçare dhe të bëjmë lojëra. Duam paqe”, tha Presidenti Trump pas takimit me Presidentin Zelenskyy në Zyrën Ovale.
Udhëheqësi amerikan po ashtu mund të shpalosë para Kongresit qëndrimin e tij për luftën mes Izraelit dhe Hamasit dhe të ardhmen e Gazës.
Gjatë një konference shtypi me kryeministrin izraelit më 4 shkurt, Presidenti Trump sugjeroi se Shtetet e Bashkuara mund ta transformojnë Gazën, në “Rivierën e Lindjes së Mesme”, siç u shpreh ai.
“Zotërimi i asaj pjese toke nga Shtetet e Bashkuara, zhvillimi dhe krijimi i mijëra vendeve pune, do të jetë madhështore”.
Analistët thonë se Presidenti Trump mund të shpjegojë arsyen pas vendosjes së tarifave ndaj vendeve të tjera gjatë fjalimin në Kongres.
Zëri i Amerikës bisedoi me profesoren Shannon Bow O’Brien të Universitetit të Teksasit në Austin.
“Ai beson se vendosja e tarifave do të shkaktojë rritjen e çmimeve, çka do të detyrojë rikthimin e prodhimit (kompanive) në Shtetet e Bashkuara për të mënjanuar tarifat”.
Presidenti Trump mund të përpiqet gjithashtu t’u përgjigjet kritikave ndaj administratës së tij lidhur me shpejtësinë dhe shtrirjen e përpjekjeve për të ulur shpenzimet qeveritare, eliminimin e shpërdorimeve si dhe zvogëlimin e numrit të punonjësve në qeverinë federale.
“Mendoj se argumenti i tij për këtë çështje do të jetë që ky është një veprim i mirë, për të ulur koston”, thotë analistja Shannon Bow O’Brien.
Senatorja Elissa Slotkin, dikur analiste për CIA-n, do të flasë në emër të demokratëve pas fjalimit të Presidentit Trump, sipas traditës për fjalimet mbi gjendjen e vendit.
Analistja O’Brien thotë se ka të ngjarë që amerikanët të ndjekin reagimin e Senatores Slotkin dhe fjalimin e plotë të Presidentit Trump kryesisht përmes shërbimeve në internet ose platformave të medias sociale ose të lexojnë pikat kryesore të fjalimeve të nesërmen. /VOA