Pas 10 vjet të përplasjeve e polarizimit shoqëror, gazit lotsjellës, arrestimeve e protestave, duket se temës së Asociacionit po i vjen fundi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin e 26 tetorit mes liderët evropianë në Bruksel është shprehur i gatshëm ta pranojë dhe nënshkurajë marrëveshjen që parasheh themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Lideri politik që për 10 vjet e luftoi Asociacionin nuk arriti “ta shpejtojë” vendin nga ky obligim ndërkombëtar.
Meqë “kumbarët” e Asociacionit vazhdojnë të garantojnë se do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, rezistenca 10- vjeçare e kryeministrit Kurti po vlerësohet si humbje kohe për Kosovën. Si u komentua?
Petrit Selimi, analist dhe ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme, ka publikuar një shkrim relativisht të gjatë në X në lidhje me Asociacionin dhe qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti. Në shkrimin e tij, nder tjera Selimi ka kritikuar VV-në, duke shkruar se i ka humbur Kosovës dhjetë vite.
“VV-ja i humbi Kosovën 10 vite pasi nuk ka marrë as marrëveshje më të mirë e as më të keqe se ajo që ishte në tryezë një dekadë më parë. Vetëm gjeopolitika është më e ashpër tani dhe Kosova humbi mundësi, kohë, burime, gjak në rrugë. Duke u thënë kështu, jam pesimist se kjo marrëveshje do të realizohet.”, vazhdon kritika e Selimit, shkruan Nacionale.
Sipas Selimit, Asociacioni nuk ishte zbulim i qeverive të kaluara, por një obligim i përmendur së pari në raportin e Kai Aides, i dërguar i OKB-së që shkroi raportin për plotësimin e standardeve para statusit.
Garancia 10- vjeçare e ShBA-së për Asociacionin
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka thënë sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë siguruar që draft statuti i ri i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, si dhe do të shqyrtohet edhe nga ky institucion.
Në një konferencë para gazetarëve, ambasadori amerikan edhe një herë siguroi që me këtë Asociacion nuk do të ketë autonomi, derisa përsëriti se fillimisht do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
“Nuk duhet të jetë një shtresë tjetër e qeverisjes, autoritet ekzekutiv, nuk shoh se si mund të ketë autonomi këtu. Draft-statuti i prezantuar te Qeveria e Kosovës është në përputhje me Kushtetutën, dhe këtë mund ta vendosë edhe Kushtetutën. Dhe në draft statut, ka një dispozitë që siguron që shqyrtimi bëhet, dhe shqyrtimi do të bëhet para se të hyjë në fuqi.” ,tha ai.
Por, garancia e fundit e shteteve perëndimore lidhur me Asociacionin se do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës nuk është diçka e re.
Të njëjtat, saktësisht të njëjtat garanci për Asociacionin kishte edhe ish-ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.
Zyrtarja amerikane me 7 mars 2013 për Radio Evropën e Lirë ishte shprehur se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje te plotë më Kushtetutën e Kosovës.
“Siç është bërë e ditur në qëllimet dhe kërkesat e konkluzioneve të Këshillit të Evropës, normalizimi i raporteve, po ashtu, është kërkuar nga të dyja shtetet, në mënyrë që të ecin drejt integrimeve evropiane.
Ka ende shumë gjëra në agjendë. Kemi dëgjuar shumë diskutime ditëve të fundit, për këtë idenë e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që do të ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.
Dhe, shpresoj se do të shohim lëvizje para për këtë gjë, dhe temat tjera kyçe, siç është zhbërja e strukturave paralele të sigurisë, gjatë ditëve të ardhshme”, ka thënë ajo.