-0.4 C
New York
Tuesday, December 30, 2025

Buy now

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës miratohet lista e veçantë për pronat e paluajtshme për 2026

- Advertisement -

Me 31 vota për, 14 kundër dhe asnjë abstenim ka kaluar në kuvendin komunal të Prishtinës në një seancë të jashtëzakonshme, lista e veçantë për pronat e paluajtshme të dhëna në shfrytëzim për 2026, ani pse kishte diskutime të shumta rreth saj si mangësi si dokumentacion.

Drejtori i pronës në komunën e Prishtinës, Brahim Mehmetaj tha se ky dokument është i rëndësishëm për zhvillim ekonomik, social dhe urban të komunës së Prishtinës, i cili sipas tij është hartuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parimin e transparencës së interesit publik dhe menaxhimit të pronës së kryeqytetit.

“Një dokument i rëndësisë së veçantë për zhvillim ekonomik, social dhe urban të komunës sonë. Kjo listë është hartuar në përputhje me legjislacionin në fuqi si dhe me parimin e transparencës, interesit publik dhe menaxhimit të pronës së kryeqytetit. Qëllimi kryesor është që pronat komunale të mos mbesin të pashfrytëzuara, por të vie në funksion të zhvillimit, krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së të hyrave për kryeqytetin. Pronat e përfshira në këtë listë janë analizuar me kujdes në aspektin juridik, urbanistik dhe ekonomik. Shfrytëzimi i tyre do të bëhet përmes procedurave të hapura, konkurruese dhe transparente duke garantuar ruajtjen e pronësisë dhe interesit publik”, tha Mehmetaj.

Asamblistja nga Lëvizja Vetëvendosje, Nora Kelmendi kishte kritika për listën e veçantë e cila sipas saj është i mangët dhe gjithashtu ka nene të gabuara.

Në dokumentacionin e dërguar Kelmendi tha se mungon lista e përgjithshme e pronave të paluajtshme të komunës, e cila sipas ligjit duhet të dërgohet nga kryetari për miratim paraprak nga Kuvendi komunal.

“Kemi një listë siç po shihet problemi nuk është ideja e shfrytëzimit, por tek mënyra, procedura dhe mungesa e dokumentacionit të domosdoshëm ligjor. Në dokumentacionin e dërguar nga ekzekutivi përmes postës elektronike mungon lista e përgjithshme e pronave të paluajtshme të komunës, e cila sipas ligjit duhet të dërgohet nga kryetari për miratim paraprak nga kuvendi komunal. Para vetës kemi vetëm një listë të veçantë, e cila në vetvete është e mangët. Keni përshkruar edhe nene të gabuara që nuk po çuditem fare sepse edhe pas katër viteve ju ende bëni gabime të tilla amatereske”, tha Kelmendi.

Shefja e grupit të asamblistëve të PSD-së, Besa Shahini kishte pesë kërkesa për kryetarin e komunës, Përparim Rama si parakusht për të votuar listën e dërguar.

“Pesë kërkesa konkrete të cilat janë parakusht për të votuar këtë listë që e keni dërguar. E para është dhënia në qira ose shfrytëzimin e pronave publike, një arsyetim për ekonominë dhe qëllimin se pse po i jepni këto prona, kryetari është i obliguar të raportoj çdo gjashtë muaj për pronat që janë dhënë në shfrytëzim, treta komuna e Prishtinës nuk e ka rregulloren që i kërkohet për dhënien në shfrytëzim në periudhë më pak se një vit. E katërta plani i veprimit për të adresuar komentet e auditorit dhe e pesta Prishtina e ka një problem shumë serioz me mbrojtjen e pronës publike çdo ditë zaptohen dhe është e pamundur për ta mbrojtur nëse refuzoni për ta ndërtuar regjistrin e përgjithshëm për të ditur se ku janë pronat publike të komunës”, shtoi Shahini.

Edhe Gëzim Sveçla nga LVV-ja tha se në një listë me 5 mijë e 288 prona pa kompletim të dokumentacionit, nuk dihet se kush është pronari, kush i shfrytëzon e as destinimi i tyre.

“Na sjell një listë me 5 mijë e 288 prona, në një seancë të jashtëzakonshme dhe me kërkua me votu të njëjtin pa kompletim të dokumentacionit paraprak nuk është në rregull. Asamblistët nuk janë makineri votash, nuk mundem me votu prona që nuk dihet kush është pronari, kush i shfrytëzon as cili është destinimi i tyre. Kjo mund të shërbej pastaj për shumë veprime tjera të jashtëligjshme, mund të ketë qytetarë qe këto prona tashmë i kanë në shfrytëzim dhe miratimi i një liste të tillë është një lloj shantazhi ndaj tyre”, tha Sveçla.

Jeta Rafuna nga LDK-ja ka kërkuar që ta votojnë këtë listë sepse sipas saj krijon mundësi për ekonomi, mbështetje e iniciativa lokale si dhe për rritjen e të hyrave vetanake të komunës.

“Lista që po shqyrtojmë sot janë rezultat i procesit funksional, me qëllim që këto prona të bien në funksion të interesit publik që të mos mbesin të pashfrytëzuara. Krijon mundësi për qëllim ekonomik, për mbështetjen e iniciativa lokale si dhe për rritjen e të hyrave vetanake të komunës, të cilat më pas kthehen në shërbime për qytetarët tanë. Miratimi i këtij vendimi sot i hap rrugë planifikimit me kohë për 2026 dhe siguron një proces të rregullt të barabartë dhe transparent”, shtoi Rafuna.

Të ngjashme

Të fundit