Pavarësisht se të gjithë ishin në pritje të fjalës së Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë fund krizës institucionale në Kosovë, situata duket se është bërë vetëm më kaotike. Kjo për faktin që secila parti po e interpreton ndryshe-ndryshe aktgjykimin – përderisa po ec afati për konstituimin e Kuvendit. Çfarë do të mund të bënin ato për ta zhbllokuar situatën?
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e krizës institucionale në Kosovë ishte gjithçka përveç asaj që e pritën të gjithë.
Ishte sikur ato rastet kur realizohet një ëndërr pas një kohe, por që nuk i ngjan atij përjetimit fillestar. Për dikë mund të ketë qenë edhe zhgjëndërr.
Aktgjykimi parasheh 26 korrikun si afatin e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por jo edhe pasojat e mundshme, nëse nuk finalizohet procesi deri atëherë.
Tentime për konstituimin e Kuvendit ka pasur prej 15 prillit, por seancave prej 2-3 minutash nuk po u shihet fundi.
Në këtë situatë, kur secila palë insiston se ka të drejtë dhe se faji është te tabori tjetër, nuk ka mbetur shumë përveçse të zbërthejmë se si do të dukej një zgjidhje ideale për të ecur përpara.
E theksojmë: ideale, pasi në politikë një plus një duket se asnjëherë nuk bëjnë dy.
Natyrisht që secili e ka bindjen dhe vizionin e vet se çfarë do t’i jepte fund krizës, por për Vullnet Bugaqkun, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), çelësi është te kompromisi mes partive politike.
Ai vlerëson se detyrimet më të mëdha në këtë drejtim i ka Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si ftuesja e më së shumti votave në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Ideale do të ishte që LVV-ja të hiqte dorë nga propozimi i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, dhe të gjente një kandidaturë më unifikuese, që do të ishte lehtë e pranueshme për pjesën tjetër. Zgjidhja më e lehtë dhe më e thjeshtë do të ishte kjo”, shprehet Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.
Për LVV-në, ky opsion është i papranueshëm, pasi anëtarë të saj besojnë se pikërisht pozita e të parit ua ofron komoditetin e vendimmarrjes.
Pas një takimi me përfaqësues të partive politike, më 28 qershor, kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i LVV-së, Albin Kurti, tha se i ka shtruar në tavolinë dy kompromise: i pari, kandidatura e Haxhiut të tërhiqet nëse ajo nuk i merr votat e nevojshme përmes një votimi të fshehtë, dhe i dyti, partitë t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre në një komision për votim të fshehtë, në mënyrë që ai të rrëzohet, më pas, me votë.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka nënvizuar qartë që seanca konstituive e ka rendin e ditës të paracaktuar, dhe në njëfarë forme Gjykata e sqaroi që kryesuesi i seancës nuk mundet të propozojë pika të reja në rend dite, qoftë të formimit të ndonjë komisioni, qoftë të zhvillimit të ndonjë mënyre tjetër të votimit”, vlerëson Bugaqku.
Për partitë e mëdha shqiptare, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kurti vazhdon të jetë i betonuar në idetë e tij fillestare. Ndryshimin e mënyrës së votimit, ato e konsiderojnë jokushtetues, ndërsa Haxhiun e përshkruajnë si figurë përçarëse.
“Gjykata Kushtetuese të dalë me një interpretim më të qartë”
Opsioni i dytë për Bugaqkun është që Gjykata Kushtetuese të dalë me një interpretim më të qartë, dhe që presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ose partitë tjera, të kërkojnë sqarime nëse nuk do të respektohet afati kohor.
Ai kujton se deri më tani ekzistojnë së paku dy raste kur Gjykata ka nxjerrë vendime në formë të sqarimit të aktgjykimeve të veta: njëri për vendimin e vitit 2010, lidhur me logon e Komunës së Prizrenit, dhe tjetri më 2011, kur Jakup Krasniqi – atëbotë kryekuvendar – kërkoi nga Gjykata ta interpretonte zgjedhjen e Behgjet Pacollit president shteti.
Dritëro Arifi, politolog nga Prishtina, beson se presidentja Osmani po vonohet duke mos dërguar në Kushtetuese kërkesë për sqarimin e afateve kohore dhe të aspekteve procedurale, në mënyrë që procesi të ecë përpara.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është duke shkuar drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, dhe se çështja është vetëm kur do të bien dakord partitë për datën e tyre – para apo pas zgjedhjeve lokale të tetorit.
Osmani i takoi më 2 korrik krerët e partive më të mëdha politike, me qëllim të gjetjes së ndonjë zgjidhjeje, por rezultat të dukshëm nuk pati.
Partia Demokratike e Kosovës tha të enjten pasdite se i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese t’i vlerësojë, siç tha, “shkeljet” në seancën konstituive.
Më 30 qershor, 52 organizata të shoqërisë civile u bënë thirrje partive parlamentare, në veçanti partisë fituese të zgjedhjeve, ta konstituojnë Kuvendin e ri të Kosovës, duke thënë se bllokada po e cenon rendin demokratik.
Deri në gjetjen e “formulës magjike” do të vazhdojmë t’i shohim deputetët duke fajësuar njëri-tjetrin çdo 48 orë…/REL/