22.7 C
New York
Tuesday, July 22, 2025

Buy now

Në Kosovë kërkohen për masakrën në Mejë, në Serbi janë figura publike

- Advertisement -

Banka e të akuzuarve në sallën e gjyqit në Prishtinë ishte e zbrazët kur nisi gjykimi për krimet e luftës, të kryera mbi 25 vjet më parë nga forcat ushtarake dhe policore serbe, në Mejë të Gjakovës.

Nga mesi i qershorit, të akuzuarit po gjykohen në mungesë, pasi nuk janë në dispozicion të drejtësisë kosovare.

Kundër tyre është lëshuar edhe një fletarrestim ndërkombëtar.

Beogradi zyrtar, tash për tash, hesht.

Ushtria e Serbisë thotë për Radion Evropa e Lirë se “nuk ka informacion” në lidhje me pjesëtarët e saj që figurojnë në aktakuzën e Kosovës, ndërsa policia nuk përgjigjet në pyetje.

Më shumë se 50 të pandehur, përfshirë ish-udhëheqës të forcave ushtarake dhe policore serbe, akuzohen për vrasjen e 370 shqiptarëve të Kosovës në Mejë dhe në fshatra të tjerë përreth Gjakovës, gjatë luftës së vitit 1999.

Mbi një çerek shekulli pas masakrës, shumica e të akuzuarve janë në pension, dhe kundër tyre në Serbi – zyrtarisht – nuk është duke u zhvilluar ndonjë hetim.

Disa janë aktivë në jetën publike – shkruajnë dhe promovojnë libra, angazhohen në politikë dhe shfaqen në media.

Në kërkim të të akuzuarve, Radio Evropa e Lirë analizoi bazat e disponueshme të të dhënave dhe arkivat.

“Nuk më shkon ndërmend të shkoj në gjykim në Prishtinë, por do të paraqitesha gjithmonë para një gjykate në Beograd”, thotë për Radion Evropa e Lirë Momir Stojanoviq, ish-shef i sigurisë së Korpusit të Prishtinës dhe i dyshuar kryesor në aktakuzën e Kosovës.

Si gjeneral ushtarak në pension, ai jeton në Nish – në jug të Serbisë.

Deri në vitin 2016 ishte zyrtar i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, ndërsa sot thotë se është një “opozitar autentik” dhe kritik i ashpër i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2020 në Serbi, Stojanoviq udhëhoqi grupin qytetar “Sinqerisht për Nishin”, i cili nuk arriti të kalonte pragun zgjedhor.

Stojanoviq thotë për Radion Evropa e Lirë se për masakrën në Mejë dhe fshatrat tjerë ka mësuar disa vite më vonë në Hagë, ku ka qenë dëshmitar i mbrojtjes në gjyqet ndaj udhëheqësve të ushtrisë dhe policisë serbe.

“Nuk kam dijeni për vuajtjet e atyre civilëve dhe me përgjegjësi pohoj se ushtria nuk ka të bëjë fare me atë krim. Nuk mund të them nëse anëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë bërë diçka. Kjo është një çështje për ta”, thotë Stojanoviq.

Të ngjashme

Të fundit