Agjencia Kufitare e BE-së, FRONTEX tha përmes një raporti se në gjysmën e parë të vitit 2024 rënia më e madhe në kalimet e parregullta kufitare është vërejtur në rrugët e Ballkanit Perëndimor.
Sipas FRONTEX nga janari në korrik në këtë rrugë u evidentuan 12,407 kalime të migrantëve të parregullt drejt kufijve të vendeve europiane, të cilat përbëjnë një rënie me 75 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë, të një viti më parë.
Agjencia tha se shumica e migrantëve të kapur nga policitë kufitare në vendet e Ballkanit Perëndimor me synimin për të udhëtuar drejt vendeve europiane janë nga Siria, Turqia dhe Afganistani.
FRONTEX thotë se edhe numri i përgjithshëm i kalimeve të parregullta kufitare nga të gjtiha rrugët e migrimit drejt Bashkimit Evropian në shtatë muajt e parë të 2024 ra me 36 për qind (në 113,400) krahasur me të dhënat e një viti më parë.
Por në një analizë të publikuar më herët nga FRONTEX për zhvillimet mbi migracionin e parregullt për vitet 2024-2025, organizata policore europiane thotë se zhvillimet në Lindjen e Mesme mund të nxisin migrimin në rajon.
“Presioni i vendit pritës për popullsitë emigrante afgane dhe siriane, rreziku i përshkallëzimit rajonal të konfliktit në Gaza dhe konfliktet dhe rëniet ekonomike në rajonet fqinje ka të ngjarë të jenë nxitësit kryesorë të migrimit në rajon” – thotë FRONTEX.
Sipas organizatës policore europiane kufijtë veriorë të rajonit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian do të mbeten pika kyçe. Përforcimi i kontrolleve të kufirit serbo-hungarez ka frenuar lëvizjet drejt Hungarisë që nga tetori 2023 dhe devijimet drejt pikës Bosnjë dhe Hercegovinë – Kroaci ose zona të tjera dalëse si ajo mes Serbisë dhe Kroacisë mund të shihen si rrugë nga kontrabandistët e migrantëve të parregullt.
Amaliza e FRONTEX thotë se ndërsa migrantët përpiqen të shmangin veriun e Serbisë, ata mund ta ndryshojnë rrugën drejt pikave mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ose Shqipërisë e Malit të Zi.
Kontrabandistët mund të përpiqen të përfitojnë duke ofruar shërbimet e tyre në forma të ndryshme: nga udhëzimi për të kaluar grupet e migrantëve në brezine kufirt të gjelbër, tek kalimet e fshehta në pikat e kalimit kufitar sigurimi i dokumente të rreme të udhëtimit për transportin e mëtejshëm.
“Flukset e migracionit dhe kontrabanda e armëve do të sfidojnë menaxhimin e kufirit në rajon dhe kontrollet e përforcuara kufitare janë mënyra më e mirë për të parandaluar çdo skenar më të ashpër si flukse masive të papritura drejt Bashkimit Europian”, thotë FRONTEX në analizën për zhvillimet e pritshme në vitet 2024-2025./VOA/