Në emër të presidentes Vjosa Osmani, këshilltarja Donika Kadaj-Bujupi, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vizituan familjen e Daorsa Spahijës në Gjakovë.
Presidenca e Kosovës bën të ditur se kjo vizitë me familjen e të ndjerës ishte për të ndarë dhimbjen e humbjes së vajzës së tyre.
Në njoftim thuhet se u shprehën ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella për prindërit, Arbërin dhe Diellzën, si dhe për gjithë familjen Spahija.
“Në emër të Presidentes, Kadaj-Bujupi i siguroi se institucionet e vendit do të qëndrojnë pranë tyre me përkushtim të plotë dhe mbështetje të vazhdueshme, përgjatë gjithë procesit të hetimeve që po zhvillohen nga autoritetet kompetente”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
24-vjeçarja nga Gjakova, që vdiq tragjikisht në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, është varrosur më 7 nëntor.
Sipas njoftimit të familjes, ceremonia e varrimit të 24-vjeçares nisi në orën 14:00 dhe u varros në varrezat e qytetit të Gjakovës.
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë një numër i madh njerëzish.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Tetovë ka njoftuar se janë intensifikuar hetimet dhe do të ndërmerren të gjitha masat deri në zbardhjen e plotë të rastit, duke shtuar se të dhënat e para nuk japin indikacione për vepër penale.
Nga ana tjetër, gazetarja Liridona Vejseli ka thënë se viktima kishte pasur vazhdimisht presion fizik dhe psikik nga i dashuri i saj.






