37.3 C
New York
Wednesday, June 25, 2025

Buy now

Në ditën kur u paralajmërua lirimi i naftës, Ministria cakton marzhën e fitimit

- Advertisement -

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) nënshkroi sot vendimin për caktimin e masave mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport, në përpjekje për të mbrojtur interesat e konsumatorëve dhe për të rritur konkurrencën e ndershme në tregun vendor, raporton Demokracia.com.

MINT ka thënë se vendimi vjen si rezultat i një mbikëqyrjeje të vazhdueshme të tregut të naftës, bazuar në evidencat e përditshme të Doganës së Kosovës dhe raportet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Këto raporte tregojnë se ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi shpesh pasqyrohen në rritje të menjëhershme të çmimeve të shitjes, pa një reflektim proporcional në raste kur çmimet furnizuese bien.

Me vendimin e sotëm, është përcaktuar se marzha tregtare maksimale e lejuar është si vijon:

  • Shitja me shumicë: deri në 2 eurocent për litër

  • Shitja me pakicë: deri në 12 eurocent për litër

Ky vendim do të hyjë në fuqi një ditë pas publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, parashikohet një mbikëqyrje e shtuar inspektuese nga Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore, për të siguruar zbatimin e këtij vendimi në mënyrë efektive.

Vendimi synon të sigurojë një konkurrencë të ndershme dhe të mbrojë interesat e konsumatorëve në tregun e Republikës së Kosovës.

Kryetari i naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka njoftuar se çmimet e naftës kanë filluar të bien edhe në Kosovë.

“Pas marrëveshjes për armëpushim mes Iranit dhe Izraelit, tensionet janë ulur dhe çmimet e naftës kanë filluar të bien. Tregjet nuk po e shohin më si të afërt rrezikun për një luftë të madhe apo mbylljen e ngushticës së Hormuzit, që është rrugë kyçe për furnizimin me naftë. Prodhimi i lartë nga SHBA dhe kërkesa më e dobët nga Kina dhe Europa po e shtyjnë çmimin edhe më poshtë. Por nëse armëpushimi prishet ose ka ndonjë sulm në zonat e naftës, çmimet mund të rriten sërish shumë shpejt. Çmimet aktuale në Kosovë janë: Diesel: 1.24€-1.32€
Benzin: 1.23€-1.31€”, shkruan Berjani në njoftim.

Të ngjashme

Të fundit