23.4 C
New York
Thursday, September 25, 2025

Buy now

Në ambientet e Ambasadës së Kosovës, Kurti takon kongresistin republikan Self

- Advertisement -

Takimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i nisi me kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Republikane, Keith Self, të cilin e mirëpriti në mjediset e Konsullatës së Republikës së Kosovës në New York.

 

Kongresisti Self është një mbështetës i zëshëm i Republikës së Kosovës. Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe për rolin aktiv dhe kontributin e vazhdueshëm të diasporës shqiptare në ShBA.

 

Kryeministri e njoftoi kongresistin Self për investimet që janë bërë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operative të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë këtu pajisjet dhe armatimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit bilateral në mbrojtje. Ndër të tjera, ai theksoi vendimet e qeverisë për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme nga ShBA-të të shtetasve të vendeve të treta dhe, së fundmi, heqjen e tarifës doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga ShBA, si dhe vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën nga administrata e re amerikane, si shprehje dhe dëshmi e partneritetit të besueshëm.

 

Gjatë takimit, gjithashtu u theksua roli dhe rëndësia e diasporës shqiptare në ShBA në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe shtimin e bashkëpunimit në sektorin privat përmes fasilitimit të investimeve të huaja direkte.

 

Kryeministri e ftoi kongresistin Self për vizitë në Kosovë dhe e falënderoi atë për qëndrimet dhe përkrahjen publike të tij ndaj Kosovës dhe anëtarësimit të saj në NATO dhe struktura të tjera euroatlantike, teksa theksoi interesimin dhe gatishmërinë e Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj për bashkëpunim edhe më të afërt me miqtë tanë në Kongres dhe me qeverinë amerikane në promovimin e vlerave dhe interesave të përbashkëta të të dy vendeve.

 

Kryeministri Kurti po qëndron në New York për takime në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Të ngjashme

Të fundit