FIFA pritet të bëjë një ndryshim të madh në Kupën e Botës për Klube, që mund të ndikojë në 10 klube të ndryshme.
Turneu i parë në formatin e ri të Kupës së Botës për Klube u zhvillua këtë verë, me Chelsea që mposhti PSG-në me rezultatin bindës 4-0 në finale.
FIFA e cilësoi Chelsean si kampionin e parë zyrtar të këtij formati të ri, pavarësisht se turneu është zhvilluar që nga viti 2000.
Si rezultat, klube të mëdha si Manchester United, Liverpool, Real Madrid dhe Milan nuk figurojnë në listën zyrtare të fituesve të Kupës së Botës për Klube.
Ndryshe nga turnetë e tjerë, Chelsea nuk u kualifikua automatikisht për edicionin e vitit 2029 si kampion në fuqi.
Megjithatë, sipas The Times, FIFA po shqyrton një ndryshim të rëndësishëm në formatin e turneut për sezonin e ardhshëm.
Organizata do të marrë në konsideratë rritjen e kufirit maksimal prej dy klubeve për shtet, që aktualisht është në fuqi për pjesëmarrjen në Kupën e Botës për Klube për ciklin deri në vitin 2029.
Ky rishikim përfshin edhe idenë nëse Chelsea, si kampion aktual, duhet të ketë të drejtë të mbrojë titullin në edicionin e ardhshëm.
Raportimet thonë se drejtuesit e FIFA-s janë të zhgënjyer nga mungesa në turne e emrave si Liverpool, Barcelona dhe Napoli, të gjithë kampionë në ligat e tyre përkatëse, duke përforcuar sugjerimet se fituesit e ligave më të forta si Anglia, Spanja dhe Italia duhet të ftohen automatikisht.
Në një skenar të tillë, është e mundshme që edhe kampionët e Francës dhe Gjermanisë të përfshihen, në rast se nuk kualifikohen përmes rrugëve ekzistuese.
Një ndryshim i tillë në rregullore do të kërkonte zgjerimin e numrit të ekipeve pjesëmarrëse nga 32 në 48, një ide që raportohet se do të kundërshtohet nga UEFA.