Në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, kanë ndodhur parregullsi serioze në kuadër të procesit zgjedhor për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit në Fakultetin e Biznesit të këtij institucioni.
Sipas dokumentit të rezultateve përfundimtare nga këto zgjedhje, një prej kandidatëve të zgjedhur për anëtar të kryesisë, Driton Sylqa, ka qenë njëkohësisht edhe zëvendës kryesues për monitorimin e procesit në emër të KQZ-së.
Dokumenti i emrave që janë përzgjedhur e vërteton faktin se Driton Sylqa profesor në fakultetin e Biznesit në Universitetin “Haxhi Zeka”, përveçqë ka qenë zëvendës kryesues i këtyre zgjedhjeve, është zgjedhur edhe si i 5-ti në listë për anëtarë të këshillit të fakultetit ku ligjëron ai.
Në adresë të Gazetë Scanner ka ardh një email, që burimi brenda anëtarëve të Këshillit të Fakultetit të Biznesit, emër i njohur për redaksinë, ka sinjalizuar edhe një tjetër parregullsi, kësaj radhe lidhur me kufizimet për kandidim.
Gentiana Gegaj, profesoreshë dhe aktualisht anëtare e Këshillit Drejtues, nuk është lejuar të kandidojë për Këshillin e Fakultetit.
Ky përjashtim ka ngjallur kritika të forta, veçanërisht pasi tre prorektorë nga menaxhmenti i UHZ-së janë lejuar të marrin pjesë në garë, ndonëse mbajnë pozita të larta drejtuese.
“Në të njëjtën kohë, tre prorektorë nga menaxhmenti i UHZ-së janë lejuar të kandidojnë për Këshillin e Fakultetit, ndonëse edhe ata mbajnë pozita të larta drejtuese në universitet. Këto raste ngrisin dyshime serioze mbi transparencën, ligjshmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor në universitet dhe kërkojnë vëmendjen e opinionit publik dhe institucioneve përkatëse”, ka deklaruar ky burim.
Gjithashtu sipas këtij burimit një rast identik në institucione të tjera ka ndodhur edhe në Bordin e BQK-së ku Bashkim Nurboja, i cili gjithashtu është lejuar të kandidojë për pozitë të re, edhe pse ka qenë tashmë anëtar bordi.
“Kjo tregon një mungesë të njëtrajtshmërisë në zbatimin e rregullave dhe krijon precedent të rrezikshëm për demokracinë institucionale” , ka shtuar tutje ky burim.