-6.3 C
New York
Sunday, December 22, 2024

Buy now

Ndikimi i padisë penale të Nju Jorkut mbi hetimet e tjera ndaj ish-Presidentit Trump

- Advertisement -

Padia penale ndaj ish-presidentit Donald Trump, që lidhet me pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, për të blerë heshtjen e ish-aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, po ngre shqetësime se mund të minojë besimin e publikut në ato që ekspertët e demokracisë i shohin si hetime shumë më të rëndësishme.

Ish-Presidenti Trump po përballet me hetime të shumta në lidhje me mospranimin e humbjes së zgjedhjeve të vitit 2020 ndaj demokratit Joe Biden. Këtu përfshihen edhe hetimet mbi pretendimet se ai u bëri presion zyrtarëve të zgjedhjeve për të përmbysur rezultatin, inkurajoi elektorët e rremë nga shtetet të rëndësishme për zgjedhjet dhe rolin e tij në ngjarjet që çuan në sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit.

Jeffrey Engel, drejtor i Qendrës për Historinë Presidenciale në Universitetin Metodist Jugor, e quajti padinë këtë javë nga një juri e madhe e Nju Jorkut një hap të parë të vogël të gjërave që do të pasojnë.

“Gjëja kryesore ka të bëjë me demokracinë dhe identitetin e vendit tonë”, thotë ai.

Disa ekspertë kanë shprehur shqetësimin se akuzat ndaj ish-Presidentit Trump lidhur me pagesat për aktoren e filmave pronografikë, Stormy Daniels, të cilat nuk janë bërë publike, mund të tërheqin vëmendjen e publikut nga rastet e tjera, të cilat janë më të përqëndruara në sulmet kundër institucioneve dhe traditave demokratike të vendit.

Larry Diamond, ekspert i demokracisë në Institutin konservator Hoover në Universitetin e Stanfordit, thotë se është i shqetësuar se akuzat e ngritura në Nju Jork do të “shkaktojnë politizimin e të gjitha akuzave të tjera kundër tij dhe keqpërdorim të gjyqësorit”. Kjo është një çështje që zoti Trump e ka theksuar në mediat sociale dhe gjatë një tubimi të fundit fushate në Teksas.

“Sigurisht që nuk do të filloja me rastin më të dobët ndaj tij”, thotë zoti Diamond.

Padia tashmë ka bashkuar mbështetësit e zotit Trump, si në nivelin e bazës së Partisë Republikane ashtu edhe në mesin e atyre që mbajnë poste publike. Reagimi ndaj padisë së njoftuar të enjten ka ekspozuar përçarjet e thella politike që kanë polarizuar gjithnjë e më shumë vendin që nga ngritja e zotit Trump në krye të Partisë Republikane.

Kathy Clark, një ish-oficere policie nga zona e qarkut Palm Beach, qëndroi buzë rrugës jashtë pronës së zotit Trump në Mar-a-Lago të Floridas pas publikimit të lajmit mbi padinë, duke mbajtur një pankartë me mbishkrimin “Trump Fitoi”. Ajo thotë se padia e ngritur në Nju Jork ndaj zotit Trump do të prodhojë një efekt të kundërt.

“Njerëzit që nuk ishin të gatshëm ta pranonin se qeveria e ka politizuar sistemin gjyqësor, tani do ta kuptojnë këtë më mirë”, thotë ajo.

Donald Trump ka përhapur idenë se hetimet janë partiake dhe synojnë të minojnë fushatën e tij ndërsa ai ka filluar një përpjekje të tretë për t’u bërë president i vendit. Në faqen e tij të mediave sociale, ish-presidenti i cilësoi prokurorët e përfshirë në hetimet ndaj tij si njerëz që rrezikojnë demokracinë.

Mbështetësit e tij tjerë e dënuan padinë, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm të Virxhinias Perëndimore, republikanin Patrick Morrisey, cili tha se kjo është “një gjueti politike shtrigash dhe një ndjekje penale politike. Dhe e vetmja arsye që ata po e bëjnë këtë është sepse janë të frikësuar. Ata e dinë që nuk mund ta mposhtin atë në kutitë e votimit. Kjo është arsyeja pse ata po përdorin këto taktika të tmerrshme.”

Sondazhet kanë treguar se shumica e republikanëve ende mbështesin pretendimin e rremë të ish-Presidentit Trump se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin vjedhur, duke sugjeruar se ata tashmë besojnë se ai është dëmtuar nga sistemi ndonëse fitorja e zotit Biden është konfirmuar nga rishikimet të shumta, rinumërime dhe auditime të zgjedhjeve presidenciale në shtetet përcaktuese.

Përpjekjet e ish-Presidentit Trump për të përmbysur këto rezultate mes pretendimeve të rreme për mashtrim të gjerë janë në qendër të dy hetimeve të tjera që janë në zhvillim e sipër, duke përfshirë atë për rolin e tij në përpjekjen për të ndalur certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në prag të sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit. Një prokuror i posaçëm po drejton gjithashtu një hetim mbi mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara nga zoti Trump në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago, që mund të ketë pasoja më të mëdha ligjore për ish-Presidentin.

Një hetim i veçantë në qarkun Fulton të Xhorxhias, i cili përfshin edhe qytetin e Atlantës, po bënë një hetim rreth presionit që ish-Presidenti Trump dhe të tjerët kanë ushtruar mbi zyrtarët e shtetit për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale atje. Hetimi filloi pas një telefonate në të cilën zoti Trump i kërkoi Sekretarit të Shtetit të Xhorxhias që të “gjente” vota të mjaftueshme për të përmbysur fitoren e zotit Biden.

Pagesa që avokati i zotit Trump, Michael Cohen, bëri në vitin 2016 për të blerë heshtjen e aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels, lidhur me dyshimet për një marrëdhënie seksuale me zotin Trump, përbën një goditje më të vogël ndaj normave demokratike në vend. Por, kjo e bënë më të lehtë krahasimin e kasaj çështje me pretendimin e zotit Trump se ai po sulmohet për arsye politike.

John Bolton, ish-këshilltar i zotit Trump për sigurinë kombëtare, tha së fundmi në kanalin CNN se pyetja është se çfarë ndodh pas aktakuzës. Nëse prokurorët nuk arrijnë të sigurojnë një dënim, “unë mendoj se historianët do ta shikojnë këtë dhe do të thonë se ky është akti që e ndihmoi zotin Trump të rizgjidhej në postin e presidentit.”

Megjithatë, eksperti i demokracisë, Larry Diamond thotë se padia e Nju Jorkut nuk do t’i ndërpresë hetimet e tjera ndaj zotit Trump.

“Rastet e tjera thjeshtë nuk do të zhduken dhe mendoj se për hir të mbrojtjes së sistemit tonë kushtetues dhe mbrojtjes së shtetit ligjor, ato duhet të kenë peshën më të madhe në mendjen e publikut”, thotë ai.

Roscoe Howard, një ish-prokuror federal në Distriktin e Kolumbisë, tha se prokurorët në Nju Jork janë të vetëdijshëm se me kë kanë të bëjnë dhe trazirat që do të pasojnë. Por ai thotë se prokurorët nuk janë të përqëndruar tek opinioni publik apo pasojat politike të një rasti penal.

Shqetësimi i tyre nuk ka të bëjë me hetimet e tjera, por me përgatitjen e tyre për ta dërguar çështjen në gjykatë, thotë zoti Howard.

“Asnjë prokuror në këtë vend nuk e dërgon në gjyq një çështje që mendon se mund ta humbasë”, thotë ai. “Ata thjesht nuk e bëjnë këtë.” /VOA/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit