Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës me një komunikatë për media kanë reaguar rreth ndikimit të Intelegjencës Artificiale në media.

Ky këshill thanë se kjo ka sjellë që redaktimi po bëhet në mënyrë të automatizuar, dhe se ndërhyrjet e tekonologjisë janë duke e ndryshuar mjedisin e informacionit dhe komunikimit.

Nga ky këshill po ashtu vunë theksin edhe te rreziku që shkakton përdorimi i intelegjencës artificiale, duke ndikuar në përhapjen e lajmeve të rreme.

Ata po ashtu thanë se sfide mbetët edhe kontrollimi i lajmeve të vërteta, pasi që me intelegjencë artificiale mund të ndërhyhet në origjinalitetin e lajmi.

Njoftimi i plotë nga KMSHK:

Inteligjenca Artificiale (AI) po shpërfaq ndryshime thelbësore në mënyrën se si njerëzit informohen dhe komunikojnë. Në këtë kontekst, është jashtëzakonisht i rëndësishëm roli i etikës në përdorimin dhe zhvillimin e teknologjive AI nga gazetarët dhe mediat.

Inteligjenca artificiale po ndikon thellësisht në media, duke sjellë automatizimin e redaktimit, personalizimin e përmbajtjes dhe përmirësimin e përvojës së përdoruesve. Ndërhyrjet e teknologjive të avancuara janë duke krijuar një mjedis të ri për informacionin dhe komunikimin.

Duke pasur parasysh rolin e AI në media, KMShK del me këtë

QËNDRIM

Për raportimin etik të mediave në rastet kur përdoret inteligjenca artificiale

Përderisa teknologjitë AI janë një burim i pasur për shkëmbimin e informacionit, ato sjellin edhe sfida. Rreziku i përhapjes së informacionit të rreme, problemet me privatësinë dhe shfaqja e favorizimeve algoritmike janë disa nga sfidat me të cilat mediat ballafaqohen.

Etika luan një rol kyç në trajtimin e sfidave që dalin nga përdorimi i AI në media. Zhvilluesit dhe përdoruesit e këtyre teknologjive duhet të kenë parasysh pasojat sociale dhe etike të veprimeve të tyre. Një përdorim i përgjegjshëm i AI në media përfshin respektimin e lirive individuale, transparencën dhe luftën kundër diskriminimit.

Një nga sfidat kryesore është kontrolli i përhapjes së informacioneve të pavërteta dhe të manipuluara. Përdorimi i AI për verifikimin e fakteve dhe identifikimin e lajmeve të rreme është kthyer në një fushë të rëndësishme të hulumtimit dhe zhvillimit.

Ndërgjegjësimi i përdoruesve është thelbësor për të krijuar një mjedis mediatik më të qëndrueshëm dhe etik. Edukimi rreth funksionimit të algoritmeve, transparencës së përdorimit të tyre dhe impaktit social të teknologjive AI ndihmon në shpërndarjen e një kulture më të kujdesshme dhe etike.

Inteligjenca artificiale po sjell një ndryshim të thellë në mënyrën si krijohet, shpërndahet dhe konsumohet informacioni. Për të siguruar një përdorim të përgjegjshëm dhe etik të këtyre teknologjive, është e rëndësishme që zhvilluesit, përdoruesit dhe shoqëria në përgjithësi të angazhohen në diskutime të hapura rreth sfidave dhe mundësive që ofron ky ndryshim paradigme.

Së fundi, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka përfshirë në Kodin e Etikës rregullat, sipas të cilave mediat duhet raportuar kur përdorin inteligjencën artificiale.

Mediat dhe gazetarët duhet të kenë parasysh që përdorimi i teknologjive AI është një mundësi, por që bart përgjegjësi.

Mediat mund të përdorin inteligjencën artificiale në procesin e krijimit të përmbajtjes mediale, por në mënyrë të përgjegjshme dhe proporcionale. Kur përdorin inteligjencën artificiale, mediat duhet të respektojnë parimet e mbrojtjes së të dhënave personale, sigurisë së informacionit dhe mosdiskriminimit.

 

– Përmbajtja mediatike e krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale bie në përgjegjësinë editoriale të medias dhe nuk i liron gazetarët dhe redaktorët nga përgjegjësia për të respektuar asnjë rregull të parashikuar nga ky kod.

– Mediat janë të obliguara t’i informojnë lexuesit në mënyrë të përshtatshme për përdorimin e inteligjencës artificiale në krijimin e përmbajtjes mediale, me shënim se në cilin segment dhe çfarë lloji i inteligjencës artificiale është përdorur dhe si funksionon.

– Gjatë përdorimit të inteligjencës artificiale mediat duhet të respektojnë të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të pronësisë intelektuale. Nëse lexuesit mund të kenë ndërveprime me inteligjencën artificiale, ata duhet të informohen paraprakisht se këto ndërveprime nuk po bëhen me njerëzit.

– Në lidhje me vendimet e marra nga inteligjenca artificiale, të cilat mund të shqetësojnë lexuesit, atyre duhet t’iu sigurohet komunikimi me një person fizik dhe mundësia për të kundërshtuar vendimin