-8 C
New York
Sunday, December 22, 2024

Buy now

Ndihmëssekretari i NATO-s kritikon Kosovën për “hapa të njëanshëm” në veri, Serbisë i kërkon t’i mbajë përgjegjës autorët e sulmit të Banjës

- Advertisement -

“Tensionet në veri të Kosovës, hapat e njëanshëm të ndërmarra nga institucionet në Kosovë, por edhe mungesa e përgjegjësisë për sulmin ndaj trupave të KFOR-it dhe sulmit të Banjës që ndodhi vitin e kaluar. Për këtë kam diskutuar në Beograd. Ne duam të shohim vazhdimin e punës së autoriteteve serbe për t’i gjetur përgjegjësit”, tha Ruge gjatë një interviste për mediumin malazez Pobjeda.

Ai ka theksuar se Ballkani Perëndimor është në “radarin” e NATO-s, derisa ka shtuar se situata në Ballkan vazhdon të jetë e “brishtë”, kryesisht në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë dhe ka potencuar se Rusia vazhdon të jetë kërcënimi kryesor për NATO-n.

“Është çështja e Kosovës ku ne kemi një rol të drejtpërdrejtë sepse kemi KFOR-in. Por, pastaj është çështja e Bosnjë-Hercegovinës. Tani mbani në mend se NATO ka qenë e pranishme në BeH për më shumë se 30 vjet. Pra, ajo që kemi thënë është se nuk do të pranojmë të shfaqet ndonjë vakum sigurie në Bosnje dhe Hercegovinë. Mendoj se thjesht kemi investuar shumë dhe nuk duam që të shpërbëhet”, shtoi, transmeton albanianpost.

Tutje, Ruge e ka komentuar edhe vizitën e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin në Rusi dhe takimin e tij me presidentin rus Vladimir Putin në margjina të një forumi ekonomik në Vlladivostok në fillim të këtij muaji.

“Ajo që po them është se ne e shikojmë Serbinë dhe i kërkojmë Serbisë të sillet në mënyrë të përgjegjshme, të punojë për stabilitetin në rajon dhe jo të inkurajojë njerëz si Dodik. Vulin është nënkryetar i Qeverisë së Serbisë, ai mund të shkojë në Moskë sa herë të dëshiroj, nuk është puna ime, por sigurisht që ne e shikojmë dhe kemi pikëpamjen tonë se ku është Rusia e udhëhequr nga Putin në mes të kësaj lufte vrastare kundër Ukrainës”.

Sipas tij, Rusia po përpiqet të gjejë mënyra për të promovuar interesat e saj në Mal të Zi, gjë që nuk është në interesin e askujt dhe sigurisht jo në interesin e njerëzve që jetojnë në këtë shtet.

Muajin e kaluar, zyrtari i lartë i NATO-s është pritur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Prishtinë, ku ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme.

Pas takimit me Osmanin, Ruge tha se ka ripërsëritur qëndrimin e Aleancës se vendimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, duhet të vijë përmes dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal”, pati vlerësuar Ruge.

Ruge e pati përmendur sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë ndaj ushtarëve të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), dhe sulmin e armatosur të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë në Veri të Kosovës.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit