Pasi dha dorëheqje nga posti i këshilltarit të kryeministrit të Sllovakisë, Miroslav Lajçak u deklarua për herë të parë vetë në një radio sllovake pasi iu publikuan mesazhet me abuzuesin seksual, Jeffrey Epstein.
Pasi i ishte shmangur mediave, duke dhënë vetëm deklarata me shkrim, Lajçak në një dha një intervistë për transmetuesin publik “Rádio Slovensko”.
“Sinqerisht nuk më kujtohen ato mesazhe”, i tha diplomati sllovak radios, duke iu referuar shkëmbimeve që përfshinin vajza. “Nuk mund t’i konfirmoj, por as nuk mund t’i mohoj.”
Pasi i lexoi përsëri mesazhet, ai shtoi se ndihej “si idiot”.
“Por kjo nuk më shfajëson nga përgjegjësia,” tha ai. “Tregova gjykim të dobët dhe komunikim të papërshtatshëm. Ato mesazhe nuk ishin gjë tjetër veçse veprime të pamenduara të egos mashkullore — biseda vetëkënaqëse mes meshkujsh”.
Lajçak tha se shkoi në Nju Jork në vitin 2017 për të marrë një post njëvjeçar në Kombet e Bashkuara dhe u prezantua me Jeffrey Epstein nga një diplomat i lartë i huaj. Sipas Lajçak, Epstein ishte i njohur gjerësisht dhe u takua me figura të shumta biznesi dhe politike nga SHBA-ja dhe jashtë saj.
Lajçak tha se nuk shihte asnjë arsye për të mos e takuar atë, duke argumentuar se krijimi i kontakteve ishte pjesë e punës së tij.
“Pse unë, një djalë nga Sllovakia, nuk duhet ta pranoj këtë?” tha ai. “Ai ishte një kontakt i vlefshëm”.
Ai tha se më vonë u vu në dijeni për dënimin e Epstein në vitin 2008 për një vepër penale seksuale, por vuri në dukje se shumë figura me ndikim vazhduan të shoqëroheshin me të më pas. Kjo, tha ai, e bëri të besonte se nuk kishte problem të bënte të njëjtën gjë.
“Marrëdhënia ime me të ishte rreth fjalëve, jo veprave. Sot po paguaj çmimin për komunikimin me të dhe njohjen e tij”, tha Lajčák, duke dënuar krimet që dolën në dritë pas arrestimit të Epstein në vitin 2019.
Ai gjithashtu konfirmoi se kishte vizituar apartamentin e Epstein, por tha se figura të tjera të biznesit dhe politikës ishin të pranishme. “Nuk kishte vajza”, këmbënguli ai. “Kjo pjesë e jetës së Epstein ishte përtej meje. Ai nuk foli për këtë dhe unë nuk pyeta”.
Ai shtoi: “Ndërgjegjja ime është e pastër”.
Lajčák gjithashtu mohoi se ish-kryestrategu i Shtëpisë së Bardhë Steve Bannon, i cili kërkoi të bashkonte populistët evropianë në vitin 2018, ishte takuar me kryeministrin sllovak Robert Fico, pavarësisht mesazheve të publikuara që sugjeronin një takim të mundshëm.
Kryeministri sllovak nuk ka konfirmuar nëse një takim i tillë ka ndodhur ndonjëherë.
“Nuk e dua Lavrovin”, tha Lajçak, duke pranuar se ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan dhe Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov dikur kishin qenë modelet e tij profesionale.
“E ndryshova pikëpamjen time për Lavrovin pasi ai u bë fytyra dhe zëri i agresorit në Ukrainë”.
Në një nga tekstet e publikuara, Lajçak shkroi se e donte Lavrovin.






