Ish-drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) të SHBA-së, Robert Mueller, i cili udhëhoqi hetimin dyvjeçar kontrovers mbi ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, ka ndërruar jetë në moshën 81 vjeç.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë lajmin se Bob ndërroi jetë mbrëmë”, tha familja e tij.
Familja e tij njoftoi gushtin e kaluar se ai ishte diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit në vitin 2021.
Lajmin për vdekjen e ka ndarë edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në rrjetin e tij social.
“Robert Mueller sapo vdiq. Epo, jam i lumtur që ka vdekur. Ai nuk mund të lëndojë më njerëz të pafajshëm”, shkroi Trump.
Mueller u nominua nga Presidenti George W. Bush dhe u bë drejtori i gjashtë i FBI-së në vend më 4 shtator 2001 – një javë para sulmeve të 11 shtatorit.
Mueller duhej ta reformonte menjëherë misionin e FBI-së, nga zgjidhja e krimit të brendshëm deri te parandalimi i terrorizmit. Ai shërbeu si drejtor i FBI-së për 12 vjet, nën drejtimin e presidentëve të të dyja partive, përpara se të dilte në pension në vitin 2013.
Më vonë ai shërbeu si këshilltar special në hetimin e Departamentit të Drejtësisë nëse fushata e Trump u koordinua në mënyrë të paligjshme me Rusinë për të ndikuar në rezultatin e garës presidenciale të vitit 2016






