Një aksident i rëndë trafiku është regjistruar të premten në aksin rrugor Levan-Fier në Shqipëri, ku një veturë u përmbys.
Të lënduar mbetën tre persona teksa në ndihmë të lënduarve u ka dalë një zyrtar policor, inspektori Klajdi Mustaj, pamje të cilat janë kapur në video nga të pranishmit.
Për këtë vepër të tij, ai është nderuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, me Certifikatën për Shërbime të Dalluara, duke e konsideruar gjestin e tij humanizëm dhe përgjegjshmëri ndaj qytetarëve dhe detyrës.
“Veprimi i Inspektor Klajdi Mustaj tregon më së miri misionin e Policisë së Shtetit: të jemi aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ne. Guximi, profesionalizmi dhe reagimi i shpejtë i punonjësit tonë në shpëtimin e tre bashkëqytetarëve është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore. I shpreh mirënjohjen time dhe të gjithë Policisë së Shtetit për këtë akt human e profesional. Faleminderit për guximin dhe zemrën e madhe që tregove në shërbim të qytetarëve”, tha Proda.