Në përvjetorin e 27-të të rënies heroike të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agron Rrahmani, familjarë, bashkëluftëtarë dhe miq të tij kujtuan me krenari dhe dhimbje sakrificën e tij për lirinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Vëllai i tij, Tafil Rrahmani, theksoi se rruga e luftës ishte e vështirë, por e ndershme.
“Sot, në 27-vjetorin e rënies, kujtojmë Agronin. Për ne si familjarë është dhimbje, por njëkohësisht edhe krenari. Agroni, Fahriu dhe mijëra dëshmorë të tjerë zgjodhën rrugën e vështirë, atë të përballjes me guxim me armikun dhe ranë heroikisht në fushën e nderit. Për ne mbetet detyrë ta ruajmë atë që ata kanë arritur dhe ta përcjellim te brezat si mesazh se atdheu duhet dashur dhe punuar për të çdo ditë edhe më shumë. Duhet të japim gjithçka nga vetja dhe të ruajmë gjithçka që kemi arritur sot”, tha Rrahmani.
Bashkëluftëtari Fatmir Humolli e përkujtoi Rrahmanin si simbol të guximit, përkushtimit dhe dashurisë për atdheun.
“Kjo është një ditë e veçantë për të kaluarën e kombit tonë, e cila ka qenë me vuajtje dhe vështirësi dhe këtyre vuajtjeve u kanë bërë ballë luftëtarët tanë, njerëzit tanë kundër pushtuesve serbë. Është një ditë e veçantë, sepse Agroni ka rënë si dëshmor i kombit. Është një dëshmor, për të cilin është e vështirë të flitet, por e vërteta është se ai është vrarë për shkak të punës së tij, sepse ka luftuar pushtuesit serbë”, tha Humolli.
Ndërsa, shoku dhe bashkëluftëtari i tij, Sali Salihu, vlerësoi kontributin e Agron Rrahmanit si një nga themeluesit e UÇK-së që mori pjesë në aksione të rëndësishme kundër forcave serbe.
“Është gjithmonë kjo ditë dhe sa herë i përkujtojmë dëshmorët, është ditë emocionuese kur kujtojmë figura të mëdha revolucionare që ka lindur nëna shqiptare. Unë kam banuar me Agronin si student dhe ajo që na ka lidhur ka qenë çështja e atdheut dhe çështjet kombëtare. Agron Rrahmani ka qenë njëri nga themeluesit e UÇK-së në vitin 1991. Bashkë me shokë, ka marrë pjesë në më shumë se shtatë aksione në Besi dhe pesë në rrethinën e Prishtinës kundër forcave serbe.”, tha Salihu.
