Policia e Kosovës ka ndaluar një person në Jarinje, i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Përmes një komunikate për media, plicia bën me dije se D.R, dyshohet se ka kryer krime lufte në Kosovë, më konkretisht në komunën e Gjakovës.
“Policia e Kosovës, konkretisht Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës, më datën 25 shkurt 2025, në pikën kufitare të Jarinjës, ka ndaluar një person i cili dyshohet se ka kryer Krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Sipas hetimeve të kryera nga Hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Luftës, i dyshuari me iniciale (D.R.) është i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), në komunën e Gjakovës në periudhën kohore 07-10 maj 1999, duke vepruar në grup dhe të organizuar si zyrtar të mobilizuar me njësi të përbëra nga MUP-i serb” – thuhet në njoftim.
Tutje, shkruan se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“I dyshuari është shoqëruar në Policinë e Kosovës, ku është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës.
Prokurori i rastit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është informuar për të gjitha veprimet hetimore dhe ka lëshuar aktvendimin për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi”.