Brenda zyrave të EULEX-it u mbajt për më shumë se një orë. Bëhet fjalë për ish-gjeneralin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku, i cili u ndalua mbrëmjen e së premtes dhe u intervistua, derisa më pas edhe iu sekuestrua telefoni.
Për veprimin e fundit ndaj Lushtakut, avokati i tij tha se u bë në kundërshtim me ligjin.
Por, monitoruesi i punës së Speciales, avokati Amer Alia thotë se kjo është brenda kompetencave të gjykatës dhe se nuk është hera e parë që po ndodhë një gjë e tillë.
“Besoj që këto veprime janë në kuadër të rregullores së procedurës së provave, tani ne në detaje nuk jemi të informuar mbi arsyet e konfiskimit dhe besoj që avokati ka qenë i njoftuar sigurisht që me vendimin e Gjykatës në rast se është lëshuar, nëse ka qenë urdhër i drejtpërdrejt i Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, deklaron Alija.
E avokatja e akredituar nga Dhomat e Specializuara, Fehmije Gashi-Bytyqi thotë se ekziston një procedurë për sekuestrimin e telefonit ndonëse vë theksin tek mos transparenca e ZPS-së për këtë rast.
“Lidhur me faktin që i është sekuestruar telefoni, sigurisht me urdhër të Prokurorit, megjithatë është një procedurë që brenda 30 ditësh duhet Prokuroria t’i drejtohet Gjykatës që të vendoset sekuestrimi i përkohshëm dhe të paraqiten arsyet se për çka ka ndodhur, por në rastin e z. Lushtaku nuk jam në dijeni”, shprehet Gashi – Bytyqi.
Kujtojmë që këtë javë, Zyra e Prokurorit të Specializuar i është rikthyer bastisjeve në Kosovë.
Të enjten cak ishte shtëpia e ish-komandantit të Zonës Operative të Drenicës, Sylejman Selimi, si i dyshuar për pengim të drejtësisë.
Për disa orë, zyrtarë të ZPS-së të asistuar nga EULEX-i kanë kryer kontrolle në shtëpinë e Selimit. /Dukagjini/