Me pikëllim të thellë është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të Besnik Klaiqit, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-i burgosur politik, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë në Finlandë, ku jetonte dhe punonte prej vitesh.
Besnik Klaiqi ishte një njeri që u përball me vuajtje të mëdha për idealin e lirisë dhe bashkimit kombëtar. Ai ishte i burgosur politik së bashku me Ukshin Hotin dhe shumë tjerë, dhe poashtu ishte njëri nga të mbijetuarit e masakrës famëkeqe në burgun e Dubravës, ku shumë të burgosur shqiptarë humbën jetën nga forcat serbe.
Përkushtimi i tij ndaj çështjes kombëtare, guximi në luftë dhe qëndresa e pathyeshme në burg e bëjnë emrin e Besnik Klaiqit të paharrueshëm në kujtesën e popullit shqiptar. Edhe pse larg atdheut në vitet e fundit të jetës, Klaiqi mbeti gjithmonë i lidhur me Kosovën dhe idealet për të cilat kishte luftuar.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët, të cilët kanë njoftuar se ai vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. “U shua para kohe nga kjo jetë, i dashuri shoku ynë Besnik Klaiqi, pas një sëmundjeje të rëndë dhe të papritur. Zemrat tona sot janë të thyera… sepse humbëm jo vetëm një mik, por një bashkëluftëtar e bashkëfamiljar që ndriçoi çdo rrugë ku kaloi gjatë përpjekjeve për liri e bashkim kombëtar”, thuhet në njoftimin e familjes.
Ndarja nga jeta e Besnik Klaiqit është një humbje për të gjithë ata që e njohën, për të gjithë ata që e nderojnë sakrificën për liri, dhe për gjithë shoqërinë shqiptare që vlerëson historinë e saj më të lavdishme.