Silk Sonik, dyshja e famshme e rrymës R&B rrëmbeu katër trofe të rëndësishëm në një prej ngjarjeve të përvitshme më të rëndësishme në botën e muzikës, çmimet Grammy.
Bruno Mars dhe Anderson Paak, me këngën e tyre “Leave the door open” u vlerësuan me çmime si “Regjistrimi më i mirë i vitit”, “Kënga e vitit”, “Performanca më e mirë R&B” dhe “Kënga më e mirë R&B”. Kënga konsiderohet si një himn shpirtëror me lirikë romantike. Ylli i muzikës Pop me origjinë shqiptare Dua Lipa dhe Megan Thee Stallion me të cilën bashkëpunon kohët e fundit shpallën fituesen e trofeut të artistit të ri më të mirë.
Amerikania Olivia Rodrigo me këngën e saj Sour u vlerësua me tre trofe, ku përfshihen edhe “Vokali më i mirë për albumet Pop” dhe “Performanca më e mirë Pop solo”. Me tre trofe u vlerësua edhe këngëtari i ri Jon Batiste, që u vlerësua për këngën më të mirë me rrënjë amerikane.
Natën e edicionit të 64-t të çmimeve Grammy u shfaq edhe një videomesazh nga presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, i cili u bëri thirrje artistëve të publikojnë nëpër profilet e tyre sa më shumë nga ajo që ndodh në vendin e tij në luftë, për t’u treguar ndjekësve të tyre në çdo kënd të globit, për krimet dhe barbaritë që po kryejnë rusët atje.