Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Majori – Ozkan Ulutash, në përfundim të mandatit të tij, ka qëndruar në Bruksel, gjegjësisht në selinë e NATO-s, ku thotë të ketë informuar ambasadorët e të gjithë aleatëve të NATO-s, si dhe partnerët që kontribuojnë me trupa në misionin e KFOR-it.
Ulutash tha se u takua edhe me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge, ku gjatë takimeve u tha se një vit pas sulmeve në Banjskë, është urgjente të sillen përgjegjësit e sulmit para drejtësisë.
“NATO pret nga Serbia që të ndihmojë që të sigurohet llogaridhënia e plotë. KFOR-i synon të sigurojë që sulme të tilla të mos përsëriten. Është e rëndësishme që të dyja palët të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara të cilat mund të nxisin tensionet, të rrezikojnë sigurinë ose të rrezikojnë ushtarët e KFOR-it”.
“NATO vazhdon të mbështesë Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë për të arritur një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftimin e NATO-s.
Ndërsa, komandanti në largim i KFOR-it, Ulutash tha se nën komandën e tij, KFOR-i ka ruajtur me sukses paqen dhe sigurinë në mbarë Kosovën, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së.
“Nëpërmjet një qëndrimi të dukshëm, fleksibël dhe të adaptueshëm, ne kemi parandaluar rreziqet për dhunë të përtërirë dhe kemi kontrolluar me shpejtësi situata që mund të çonin në incidente ose përshkallëzim. Ne kemi përforcuar më tej misionin dhe kemi vazhduar rolin tonë si një forcë e paanshme, duke punuar me të gjitha komunitetet për të nxitur sigurinë, për të gjithë”, tha Ulutash.
Më tej, Ulutash tha se KFOR-i ka vazhduar të ofrojë mjedis të sigurt e të nevojshëm për përpjekjet diplomatike për të ecur përpara.